Maqedoni
Rritja e pagave, VMRO: Kreu i LSM-së, pasqyrë e LSDM-së
04.03.2025 14:41
VMRO-DPMNE me kritika të ashpra iu drejtua kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov..

VMRO-DPMNE me kritika të ashpra iu drejtua kryetarit të Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafillov, pas kërkesës së tij për rritjen e pagës minimale në 500 euro. Partia e Mickoskit thotë se Trendafillov është jo kompetent, pasi është zgjedhur joligjërisht. Nga VMRO, madje e cilësojnë atë si bashkëveprues me LSDM-në.
“Ai heshti degradimin sistematik të punëtorit gjatë qeverisjes së LSDM-së dhe tani i aktivizuar si me buton zgjohet nga gjumi dimëror. Sllobodan Trendafillov nuk ka veprim autentik. Ai pasqyron LSDM-në.”, - deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski.
Trendafillov përgënjeshtron VMRO-në
Pretendimet e tilla i ka hedhur poshtë Trendafillov, i cili është shprehur se LSM do të vazhdojë të punojë në të mirën e punëtorëve pavarësisht trysnive.
“Perceptimi i tyre varet nga pozicioni në të cilin ndodhen, nëse janë në pushtet apo opozitë. Beteja për rritjen e pagave të punëtorëve është betejë e pastër e punëtorëve.”, është shprehur Trendafillov.
LSDM kërkon mbështetjen e VMRO-DPMNE-së
Me një propozim për rritje të pagave nga 3 mijë deri në 15 mijë denarë dolën edhe socialdemokratët. Ata kërkuan mbështetjen e VMRO-së në Kuvend.
“Me këtë ligj të gjithë fitojnë, punëtorët paga më të larta, kompanitë s’do të kenë shpenzime shtesë, ndërkaq shteti do të realizojë të hyra. Ftojmë të gjithë deputetët, veçanërisht ata të VMRO-DPMNE-së që të mbështesin ligjin. Nuk ka arsye për mos ta mbështetur. Nëse e refuzojnë, do të dërgojnë porosi të qartë se nuk kanë interes për rritjen e pagave.”, - theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Të dyja kërkesat në vete krahas rritjes së pagave parashikojnë ngrirjen e pagesës së kontributeve për një vit.
MERAL ISMAILI
