70 vjetori i Sh. F. “Liria”, shkollës së parë shqipe në Shkup

08.05.2015 11:57

Me aktivitete njëjavore, Shkolla Fillore “Liria” në Shkup ka shënuar 70 vjetorin e ekzistimit të saj...

Kjo shkollë me vite ishte vatër e arsimit, kulturës dhe sportit shqiptar, u tha në solemnitetin e organizuar me këtë rast. Drejtori i shkollës, Talat Sadiku, theksoi se suksesi i kësaj shkolle në këto shtatë dekada të ekzistimit është rezultat i punës së spikatur të shumë mësuesve, nxënësve shembullorë dhe prindërve të devotshëm.

"Hapja e shkollës së parë shqipe në qytetin e Shkupit më 1 dhjetor të vitit 1944 ishte një rreze drite, që u ndez në mesin e errësirës. U realizua një ëndërr e shumëpritur e shqiptarëve të Shkupit, atë ditë doli në dritë gjuha e ëmbël shqipe. Shkolla fillore “Liria” punën e saj kualitative në procesin edukativo-arsimor, me tradita të shëndosha arsimore dhe veprimtari shoqërore dhe kulturore është afirmuar në qytet dhe jashtë si shkollë shembullore”- u shpreh drejtori i Sh. F. “Liria”, Talat Sadiku.                

Në emër të Komunës së Çairit foli kryesuesi i këshillit të kësaj komune, Zahir Bekteshi, i cili theksoi se në rrugën e saj kjo shkollë kishte shumë sfida dhe probleme, por arriti të ketë shumë suksese pas vetes.   

“Arsimimi në përgjithësi, por shkollimi fillor në veçanti është një fondament, një bust, mbi të cilin ndërtohet personaliteti i gjeneratave të reja dhe kjo na bën me dije se të marrit me arsim nuk është thjesht realizim i një profesioni, një pune, nuk është thjesht vetëm një punësim, por një përgjegjësi për gjeneratat e reja”- u shpreh mes tjerash Bekteshi.                     

Shkolla Fillore “Liria” ka mbajtur dhe mban pietetin e arsimit cilësor dhe besoj se edhe në të ardhmen do të jetë lider dhe udhërrëfyese e arsimit cilësor në vend, vlerësoi me këtë rast ministri i Ekonomisë, Bekim Neziri.                                                                        

“Ngel që kualitetin ose dijen cilësore, të cilën na e përcollën para disa vitesh arsimtarët tanë, tani tua kthejmë me përcjelljen e dijes cilësore nxënësve të cilët mësojnë në shkollën fillore “Liria” dhe këtë shkollë ta ngritim aty ku e ka vendin, e vendin e ka në maje të arsimit në RM-së”- tha ministri Neziri.   

Për 70 vjet punë të palodhshme të kolektivit të kësaj shkolle, gazetari i TVM-2, Reshat Kamberi, ka përgatitur edhe një dokumentarë televiziv. Ndërsa në solemnitetin e organizuar me këtë rast u promovua edhe një këngë kushtuar përvjetorit të shkollës së parë shqipe në Shkup. (Gyltene  Sinani, TVM2)