Maqedoni

Samiti Hungari – RMV, Orban: Përshëndesim negociatat ShBA – Rusi

04.03.2025 15:41

Maqedonia e Veriut dhe Hungaria mbështesin përpjekjet e presidentit amerikan Donald trump, për marrëveshje me Rusinë për ti dhënë fund luftës në Ukrainë...

Në takimin e realizuar të kryeministrit, Hristijan Mickoski, me kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në kuadër të Samitit qeveritar hungaro-maqedonas në Budapest, është biseduar edhe për situatën e krijuar mes luftës dhe paqes në Ukrainë. Sipas kryeministrit hungarez është i qartë dallimi strategjik i ShBA-së pas zgjedhjeve, por është fakt se dikush dëshiron luftë dhe dikush paqe. Ai theksoi se mbështet marrëveshjen ShBA-Rusi, ndërsa për atë se çfarë strategjie do të ndërmarrë Evropa do të bisedohet në Samitin e kryeministrave të enjten në Bruksel.
 
“I thash kryeministrit se ne i përshëndesim negociatat mes ShBA-së dhe Rusisë dhe ne hungarezët jemi shumë të interesuar për një përfundim të suksesshëm. I thashë kryeministrit se ne grindemi me ata shtete të BE-së që gjithashtu janë miq dhe aleatë tanë, por vendosën se Ukraina duhet të vazhdojë me luftën. Sipas mendimit tonë, vazhdimi i luftës është gabim dhe rrezik i madh. Për këtë, të enjten do të flasim në Bruksel.”, - deklaroi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
 
Mickoski: Evropa të ketë rol intensiv për paqen në Ukrainë
 
Edhe kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, inkurajon Evropën për një rol më intensiv për arritjen e paqes në Ukrainë.
 
“Së bashku të inkurajojmë dhe mbështesim që Evropa të ndërmarrë rol më intensiv në procesin e arritjes së paqes së përhershme dhe të qëndrueshme në Ukrainë përmes partneritetit dhe aleancës me ShBA-në. Kjo është në favor të miqve të Ukrainës, por edhe në dobi të vet Evropës.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Anëtarësimi i RMV-së në BE, Mickoski: Dhamë shumë për qëllimin strategjik 
 
Sa i përket anëtarësimit të vendit në BE, kryeministri Hristijan Mickoski rikujtoi se qytetarët e Maqedonisë kanë dhënë shumë për plotësimin e qëllimit strategjik, por që situata nuk ka lëvizur drejt përmirësimit për pothuajse 20 vite. 
 
“Bëmë shumë, diçka që ishte në dëm të identitetit maqedonas, por patjetër të jemi optimist dhe të luftojmë edhe në të ardhmen  që ta realizojmë qëllimin tonë, edhe pse jemi të vetëdijshëm se këtu ka edhe faj të brendshëm, sepse politikanët tanë të korruptuar duke menduar se Brukseli do t’ua harrojë korrupsionin, krimin dhe shkatërrimin e vendit me atë që do të nënshkruajnë gjithçka që u jepet në tavolinë, hynë në një entuziazëm dhe e përkeqësuan pozitën negociuese.”, - u shpreh kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
Orban: E turpshme, që RMV-ja të presë kaq gjatë
 
Ndërkohë, kryeministri hungarez shprehu mbështetje të parezervë, sa i përket anëtarësimit të RMV-së në BE, teksa theksoi se pritja e gjatë e vendit për t'iu bashkangjitur unionit nuk është e drejtë dhe se BE i ka borxh moral RMV-së.
 
“I thashë kryeministrit se edhe më tutje mund të llogarisin në mbështetjen tonë për anëtarësim në BE. Jo vetëm që është e turpshme që ky proces në mënyrë shumë të ngadalshme po ecë para dhe për atë nuk është përgjegjëse RMV-ja, por ne, anëtarët e BE-së. Përkundër kësaj, ne mbështesim anëtarësimin e tyre për shkak se BE-ja duhet të përmirësojë konkurrencën në botë dhe unë nuk shoh zgjidhje tjetër për përmirësimin e konkurrencës, veç se vazhdimin  e procesit të zgjerimit.”, - theksoi kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
 
Të dy diskutuan gjithashtu bashkëpunimin më të thellë në infrastrukturë dhe industrinë ushtarake. Orban tha se ekzistonte një ide për një zonë të përbashkët ekonomike mes Hungarisë, Serbisë dhe Maqedonisë, por që këtë e pengon ajo që dy nga tre vendet nuk janë anëtare të Unionit.
 
FLORIJE KAMBERI