Botë

ShBA-ja ndalon ndihmën ushtarake për Ukrainën, Evropa forcon mbrojtjen me 800 miliardë euro

04.03.2025 16:06

Qëndrimet e ndara mes Evropës dhe SHBA-ve sa i përket Ukrainës, ka nxitur Evropën të mendojë për kapacitetet e saja mbrojtëse...

Evropa do të forcojë kapacitetet mbrojtëse me një fond prej 800 miliardë eurosh. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, tha se ky hap do t’i mundësojë Evropës të marrë përgjegjësi për sigurinë e saj dhe të përmirësojë pozicionin ushtarak të Ukrainës para bisedimeve me Rusinë. Ajo theksoi se Evropa duhet të veprojë me vendosmëri dhe shpejtësi, duke ruajtur bashkëpunimin me partnerët e NATO-s.
 
"Pyetja nuk është më nëse siguria e Evropës është e rrezikuar në një mënyrë shumë reale apo nëse Evropa duhet të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj. Pyetja e vërtetë për ne është: a është Evropa e gatshme të veprojë aq vendosmërisht sa e kërkon situata dhe a është Evropa e gatshme dhe e aftë të veprojë me shpejtësinë dhe ambicien e nevojshme.", - deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Kjo deklaratë erdhi pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë për ndalimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën. Presidenti amerikan, Donald Tramp, tha se një marrëveshje paqeje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të arrihet shpejt, por shtoi se dikush nuk është i interesuar për këtë.
 
"Mendoj se për një tango duhen dy veta dhe do t'ju duhet të arrini një marrëveshje me Rusinë dhe gjithashtu me Ukrainën. Do t'ju duhet të keni dakordësinë e kombeve evropiane, sepse mendoj se kjo është e rëndësishme. Mendoj se të gjithë duhet të hyjnë në një dhomë dhe ne duhet të biem dakord dhe marrëveshja mund të arrihet shumë shpejt. Tani, ndoshta dikush nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje. Dhe nëse dikush nuk dëshiron të arrijë një marrëveshje, mendoj se ai person nuk do të jetë rreth e rrotull për shumë kohë. Ai person nuk do të dëgjohet gjatë.", - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
Por, presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, kërkoi përfundimin sa më të shpejtë të luftës me një marrëveshje të drejtë, duke kujtuar se mungesa e garancive të sigurisë për Ukrainën dikur i dha Rusisë mundësinë të pushtojë Krimenë dhe Donbasin.
 
"Atëherë, mungesa e garancive të sigurisë i dha mundësi Rusisë të kryente një pushtim të plotë, dhe tani, për shkak të garancive të paqarta të sigurisë, Rusia është ajo që po e mban këtë luftë gjallë.", - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
 
Por, zyrtarët në Kremlin thonë se vendimi i administratës Tramp për të ndaluar ndihmën ushtarake për Ukrainën mund ta detyrojë Kievin të pranojë negociatat për paqe.
 
"Sigurisht, detajet ende duhet të sqarohen. Por, nëse kjo është e vërtetë, atëherë ky është një vendim që me të vërtetë mund ta shtyjë regjimin në Kiev drejt një procesi paqeje.", - theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.
 
Në vijën e frontit, luftimet dhe sulmet me dron vazhdojnë. Odesa kaloi një natë mes sirenave dhe shpërthimeve. Ukraina mbetet e vendosur të mbrojë territorin e saj, me shpresën për një armëpushim të shpejtë dhe një rrugë drejt paqes së qëndrueshme.
 
ARMEND MURSELI