Botë
Takimi Tramp – Zelenski, javën e ardhshme, Makron propozon armëpushim 1-mujor të luftimeve
05.03.2025 10:49
Franca po punon për rivendosjen e një lidhjeje midis SHBA-së dhe Ukrainës..

Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, pritet të udhëtojë sërish drejt ShBA-së javën e ardhshme për të zhvilluar një tjetër takim me kreun e Shtëpisë së Bardhë, Donald Tramp.
Lideri ukrainas do të shoqërohet këtë herë me presidentin francez, Emanuel Makron, dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për t’i paraqitur Trampit një plan të përbashkët paqeje.
Lëvizja vjen vetëm pak orë pas fjalimit të presidentit Tramp në Kongres, ku ai tha se ka marrë një letër nga Zelenski, ku thuhet se është gati të ulet në tryezën e bisedimeve për paqe. Ndërkohë, presidenti i Bjellorusisë, Aleksander Lukashenko, është ofruar të presë bisedimet e paqes për Ukrainën në Minsk, duke u bërë ftesë homologëve të tij, Donald Tramp, Vladimir Putin dhe Volodimir Zelenski.
Ndërkohë presidenti francez, Emanuel Makron, propozoi një armëpushim të pjesshëm njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës “në ajër, në det dhe në infrastrukturën energjetike” gjatë një samiti të liderëve evropianë në Londër të dielën. Por, zyrtarët dhe ministrat e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar kanë theksuar se nuk është ende një propozim i rënë dakord.
