Të punësuarit në BFI, në gjendje të rëndë shëndetësore

08.05.2015 12:43

Situata në BFI vazhdon të mbetet e tensionuar...

Institucioni më i lartë islam në vend vazhdon të ruhet nga jashtë, nga njerëz të myftiut të shkarkuar, Ibrahim Shabanit, ndërsa brenda tij vazhdojnë tanimë 5 ditë të punësuarit e tjerë.

Pas 5 ditëve të kaluara brenda, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm. Përveç ndihmës urgjente mjekësore, ata kanë kërkuar edhe  intervenim nga ana e shtetit dhe faktorit ndërkombëtar.

“Gjendja gjithnjë po vështirësohet edhe në aspektin shëndetësor të të punësuarve nga fakti se Bashkësia Islame gjithnjë ka krijuar kushte për punë, po nuk është paramenduar që të jetë një lloj hoteli, që këtu edhe të flihet. Në vend se pas ngjarjes të intervenohet, sepse ka lënë pasoja psikike të intervenohet me njerëzit, gjendja është vështirësuar, edhe më tutje ka nevojë për medikamente, ka nevojë për trajtim mjekësor”- deklaroi i punësuari në BFI, Jusuf Zimeri.

Por, edhe pse ditë më parë myftiu i shkarkuar i Shkupit tha se të punësuarit e BFI-së janë të lirë që të kthehen në shtëpi pas mbarimit të orarit të punës, të ngujuarit brenda BFI-së thonë se nëse largohen, atyre më nuk do t’u lejohet të kthehen.

“Njerëzit të cilët nuk kanë legjitimitet për të qëndruar këtu, të cilët kanë hy me dhunë dhe këta njerëz të cilët i patë ju, ata duhet ta lëshojnë objektin, pastaj ne e lëshojmë objektin. Derisa ata janë brenda, ne do të qëndrojmë këtu. Si do të përfundojë kjo punë e jona nuk e dimë”- tha Zimeri.

Edhe pse Rijaseti në kontinuitet është duke u munduar për normalizimin e situatës, duket se zgjidhja nuk do të gjendet lehtë. Edhe sot, sekretari i shkarkuar i BFI-së, Afrim Tahiri, që përkrah grupin e myftiut të shkarkuar të Shkupit, në përpjekjet për marrjen e kryesisë së BFI-së, përmes një letre drejtuar mediave dhe përkrahësve të Sulejman Rexhepit u përkujton atyre se në BFI problemet janë shtresuar, pasi nuk respektohet kushtetuta. (Ersan Pajaziti, TVM2)