Maqedoni

Vazhdoi gjykimi ndaj Pallços, mbrojtja hedh dyshime për mungesë provash

05.03.2025 14:00

Me dëgjimin e dëshmitarëve nga pala mbrojtëse vazhdoi gjykimi për të akuzuarin kryesor...

Me dëgjimin e dëshmitarëve nga pala mbrojtëse vazhdoi gjykimi për të akuzuarin kryesor për rrëmbimet dhe vrasjet e Pançe Zhezhovskit dhe 14-vjeçares, Vanja Gjorgjievska, Ljupço Palevski - Pallço. Ky i fundit, duke e pyetur inspektorin e SPB-Veles, Stojan Kujunxhievski, e sulmoi të akuzuarin tjetër, Bore Videvskit, se ku gjendet pistoleta e Videvskit për të cilin kanë gjetur leje gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, e që në vend të pistoletës bashkëshortja e tij ka dorëzuar pushkë gjuetie dhe gëzhoja. Andaj avokatët e Palevskit thonë se Prokuroria ka bërë disa lëshime gjatë procedurës hetimore.
 
“Nuk është normale që në një hetim të dyshosh persona për vrasje e që posedojnë armatim në mënyrë ligjore dhe të mos ua bësh dorezën e parafinës. Deri më sot kjo nuk është bërë nga ana e Prokurorisë. Nga ana tjetër, të gjitha provat e siguruara të Prokurorisë që na janë dërguar neve, pra CD-të, USB-të, etj, për Ljupço Palevskin nuk rezulton të jetë e hapur asnjë stacion bazë për telekomunikimet, përmes  së cilës do të dëshmohet vendndodhja e saktë e Palevskit gjatë vrasjes.”, - deklaroi avokati i Palevskit, Jovica Strashevski.
 
Vanja Gjorgjievska dhe Pançe Zhezhovski, të cilët u shpallën të zhdukur më 24 dhe me 27 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023. Për këtë rast, përveç Pallços, janë akuzuar edhe Bore Videski, Velibor Manev, Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski. 
 
REXHEP QAMILI