Këshilli Gjyqësor, Mickoski: Interpelanca duhet të votohet
Kryeministri, Hristijan Mickoski...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, pret që në seancën kuvendore të së martës, deputetët do të votojnë për interpelancën e dorëzuar nga 67 deputetët e shumicës, ndaj 5 anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të zgjedhur nga Kuvendi.
Ai vlerëson se anëtarët aktualë, në mënyrë të tërësishme e kanë humbur kredibilitetin para qytetarëve, andaj duhet të zëvendësohen.
“Ajo që ka të bëjë me gjykatësit, a thua duhet ta komentoj atë se çfarë duhet të bëjmë, dihet. Ata totalisht e kanë humbur kredibilitetin para qytetarëve dhe ajo interpelancë duhet të votohet dhe në vendin e tyre të vijnë njerëz që do të jenë mbrojtës të vërtetë të drejtësisë, sepse doli që gjykatës dhe prokurorë individualë janë mbrojtja e fundit e koalicionit të fundit qeveritarë LSDM-BDI.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Përgjigjet e pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor drejtuar Kuvendit, Milazim Mustafa, Selim Ademi, Vesna Dameva, Pavlina Cërvenkovska dhe Tanja Çaçarovska Ilievska, janë në drejtim se interpelanca është kundërkushtetuese dhe kundërligjore.
Edhe pse kryeministri kishte kërkuar dorëheqjen e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor, nëse interpelancat kalojnë në Kuvend, disa prej tyre janë shprehur se nuk planifikojnë të japin dorëheqje, ndërsa të tjerë thanë se fillimisht do të presin rezultatin e interpelancës.
Shkarkimi i kryeprokurorit, nis rrjedha e afatit në Këshillin e Prokurorëve
Në vazhdën e reformave qeveritare të paralajmëruara nga kryeministri për kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë është edhe procedura për shkarkimin e kryeprokurorit, Lupço Kocevski.
“Sa i përket letrës për shkarkimin e Kocevskit, mendoj se tani më është dorëzuar.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickocski.
Propozimi për shkarkimin e tij mori dritë jeshile nga Qeveria, ndërsa tani pas dorëzimit të propozimit në Këshillin e Prokurorëve Publikë rrjedhin afatet ligjore prej 15 ditëve për dhënien e mendimit nga Këshilli i Prokurorëve. Pavarësisht këtij mendimi, fjalën përfundimtare për shkarkimin e Kocevskit e kanë deputetët.
Edhe Kocevski, sikurse anëtarët e Këshillit Gjyqësor ka deklaruar se nuk ndjen përgjegjësi për atë që po e fajëson pushteti, ndërsa ka theksuar se vet do të tërhiqet nga pozita vetëm nëse Qeveria i argumenton shkeljet. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)
