Përpjekjet për paqe mes Ukrainës dhe Rusisë, Tramp: Ta ndalojmë këtë çmenduri

05.03.2025 14:48

Konflikti në Ukrainë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes globale...

Konflikti në Ukrainë vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes globale, me përpjekje të vazhdueshme për arritjen e një zgjidhjeje paqësore.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë konfirmoi bisedimet serioze me Rusinë dhe sinjalet pozitive për një marrëveshje paqeje.

Presidenti, Tramp, kërkoi ndaljen e menjëhershme të dhunës, duke e quajtur luftën të pakuptimtë dhe shkatërruese.

“Është koha ta ndalojmë këtë çmenduri. Është koha të ndalet vrasja. Është koha t'i jepet fund kësaj lufte të pakuptimtë. Nëse dëshironi t’i jepni fund luftërave, duhet të flisni me të dyja palët.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Zelenski: Kërkojmë bashkëpunim konstruktiv

Në përpjekje për të përmirësuar keqkuptimet me Uashingtonin, Zelenski konfirmoi se është i gatshëm të ulet në tryezën e negociatave.

“Kërkojmë bashkëpunim konstruktiv. Marrëdhënie të bazuara në partneritet. Na vjen keq për atë që ndodhi në Shtëpinë e Bardhë në vend të negociatave. Por, ne duhet të gjejmë forcën për të ecur përpara, për të respektuar njëri-tjetrin, ashtu siç e kemi respektuar gjithmonë Amerikën, Evropën dhe të gjithë partnerët tanë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.

Qeveria ukrainase theksoi se përparimi drejt paqes varet nga qëndrimi i Rusisë, ndërsa nga Kremlini theksojnë se ligji ukrainas ende ndalon Zelenskin të zhvillojë negociata të drejtpërdrejta me Moskën.

Qasja e re e Zelenskit u përshëndet jo vetëm nga shefi i Shtëpisë së Bardhë, por edhe nga liderë si presidenti francez, Emanuel Makron e liderë të tjerë evropianë, të cilët pavarësisht diplomacisë mbeten të qëndrimit se sovraniteti dhe integriteti territorial i Ukrainës mbeten të panegociueshme. (Armend Murseli, TVM2)