Rajon

Situatë e tensionuar politike në Serbi, opozita kërkon rrëzimin e Qeverisë

05.03.2025 14:56

Pas një seance të furishme me incidente Kuvendi i Serbisë vazhdoi punën me një debat për 70 propozim-ligje...

Pas një seance të furishme me incidente, përplasje fizike, gaz lotsjellës, granata trullosëse dhe tre deputetë të plagosur, Kuvendi i Serbisë vazhdoi punën me një debat për 70 propozim-ligje, ndërsa dorëheqja e kryeministrit dhe e Qeverisë është pika e fundit e rendit të ditës. Opozita ka kërkuar që të gjitha pikat të largohen dhe të bisedohet vetëm për dorëheqjen e Qeverisë. Deputetët e opozitës janë kontrolluar tërësisht nga sigurimi në hyrje të Kuvendit dhe nuk ndodhen në sallën e Kuvendit. Ndërsa nga policia e Serbisë para fillimit të seancës kanë njoftuar se ka pasur një denoncim të rremë për një mjet shpërthyes të vendosur mbrëmë. Opozita njoftoi se për shkak të kontrollit të policisë në ambientet e tyre për shkak të bombës false, ata nuk mund të kthehen në sallën e Kuvendit.
 
“Në rend të ditës duhet të jetë vetëm një pikë mbi të cilën duhet të arrihet konsensus, por që është edhe kërkesë e studentëve dhe pikat tjera të largohen nga rendi i ditës. Dhe për shkak se çdo gjë është anormale dhe kjo Qeveri ende po përpiqet të veprojë sikur asgjë të mos kishte ndodhur më 1 nëntor, sikur asgjë nuk po ndodh këtu në Beograd dhe në të gjithë Serbinë, përgjigja ishte e njëjtë si dje dhe sot, pasi hymë në këtë ndërtesë, pasi nuk e dimë se kush i kontrolloi zyrat tona dhe si thjesht nuk mund të ktheheshim në sallë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.”, - deklaroi Marinika Tepiq nga SSP.
 
Nga ana tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, pas kaosit të djeshëm në seancën e Kuvendit tha se po priste të dëgjonte se çfarë kishte për të thënë Prokuroria, por se nuk do të pushonte “derisa ata që e bënë këtë të japin llogari”. Deputeti i Frontit të Majtë të Gjelbër, Radomir Lazoviq, veprimin e djeshëm në Kuvendin e Serbisë e quajti veprim të suksesshëm dhe tha se dje në Kuvend janë futur mjete piroteknike, që detektorët nuk mund t'i zbulojnë.
 
FITIM KRYEZIU