Plenumi i Nxënësve fton MASh-in në takim te kampi i nxënësve

08.05.2015 13:36

Plenumi i Nxënësve fton të hënën në takim ministrin dhe zëvendësministrin e Arsimit, Abdilaqim Ademin dhe Spiro Ristevskin në parkun ku janë të vendosura tendat e nxënësve...

Nga plenumi thonë se qëllimi i takimit është të diskutojnë për mosmarrëveshjet rreth maturës shtetërore dhe testimit ekstern, duke lënë të kuptohet se nuk e kanë ndërmend të tërhiqen nga kërkesat e tyre, që testimi ekstern të jetë pa emër dhe mbiemër dhe nota të mos figurojë në dëftesë. Ata paralajmëruan protesta gjatë ditës së sotme.

“Plenumi i Nxënësve mbetet këtu dhe do të vazhdojë të qëndrojë në diell edhe në shi. Mbetemi të unifikuar në qëndrimin që të kemi arsim sa më të mirë. E shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj ministrin dhe zëvendësministrin e Arsimit, Ademin dhe Ristevskin, që të hënën në orën 13 të vijnë në kampin e nxënësve dhe së bashku të shohim se çfarë mund të bëjmë në zgjidhjen e kësaj çështje”- deklaroi Aleksandar Nikollovski nga Plenumi i Nxënësve.

Që të mostejkalohet afati ligjor i mungesave prej 25 ditësh, disa nxënës veç më kanë filluar të paraqiten në shkollë në kohëzgjatje prej një dite.

Plenumi i Nxënësve tha se do të vazhdojë me vendosjen e tendave deri në plotësimin e kërkesave të tyre, ndërsa për këtë çështje nxënësit javën e kaluar organizuan peticion për mbështetje dhe kanë mbledhur rreth 10 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Deri më tani janë realizuar disa takime ndërmjet  përfaqësuesve të MASH-it  dhe Plenumit të Nxënësve, por deri më tani nuk është arritur marrëveshje në favor të të dyja palëve. (Rexhep Qamili, TVM2)