Ekonomi

Paga minimale në 500 euro?!, Mickoski: Nuk mbështesim propozimin e LSM-së

05.03.2025 15:08

Qeveria nuk do të mbështesë propozimin e Lidhjes së Sindikatave për subvencionimin e kontributeve...

Qeveria nuk do të mbështesë propozimin e Lidhjes së Sindikatave për subvencionimin e kontributeve, në mënyrë që të rritet paga minimale, informoi kryeministri, Hristijan Mickoski. Ai propozimin e LSM-së dhe Odave e dënoi si të motivuar politikisht. Mickoski tha se Qeveria mund të mbështesë rritjen e pagës minimale prej 500 euro, vetëm nëse punëdhënësit i paguajnë vet kontributet. 
 
“Më vjen keq që Lidhja e Sindikatave e Maqedonisë ngadalë, por sigurtë shndërrohet në skenë partiake apo në zëdhënës të koalicionit LSDM, BDI dhe “E Majta” dhe praktikisht atë që këta të fundit e flasin në Parlament, LSM e flet në press konferenca, por ashtu kanë vendosur në atë mënyrë të funksionojnë. Në qoftë se punëtorët dhe punëdhënësit në Këshillin Ekonomiko-Social dakordohen që të ketë pagë minimale në lartësi prej 30.000 denarëve me shpenzime tërësisht të mbuluara nga ana e punëdhënësve, ne atë do ta pranojmë dhe nuk kemi asgjë kundër.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në prag të vendimit për rritjen e pagës minimale iu drejtua Qeverisë, punëdhënësve dhe koordinatorëve të grupeve parlamentare në Kuvend me një propozim për përcaktimin e pagës minimale sipas ligjit, si dhe për miratimin e një vendimi që do ta rriste pagën minimale me 6.000 denarë shtesë. Kjo do të çonte në rritjen e pagave të tjera. LSM propozoi që punëdhënësit të ndihmohen ose të subvencionohen për pagesën e kontributeve për këto 6.000 denarë për një periudhë deri në 12 muaj. Megjithatë, aktualisht, as rritja ligjore e pagës minimale nuk mund të miratohet, sepse Mickoski po pret që në seancën e ardhshme Qeveria të propozojë tre anëtarë të rinj që do të konfirmojnë legjitimitetin e LSM-së, diçka pa të cilën nuk mund të mbahet Këshilli Ekonomiko-Social dhe të negociohet për pagën dhe çështje të tjera.
 
ERSAN PAJAZITI