Bojkot i zgjedhjeve lokale, Mickoski: Nuk është qasje e duhur e BDI-së

05.03.2025 15:59

Kryeministri, Hristijan Mickoski, me kritika ndaj paralajmërimeve të BDI-së...

Kryeministri, Hristijan Mickoski, me kritika ndaj paralajmërimeve të BDI-së për krizë eventuale dhe bojkot të zgjedhjeve lokale, në rast se nuk garantohet përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe.

Mickoski me tone të ashpra drejtuar nënkryetarit të BDI-së, Osmani, duke thënë se kushtëzimi i zgjedhjeve me vendimet e Gjykatës Kushtetuese është ndërhyrje në sistemin gjyqësor.

“Një nga postulatet bazë të demokracisë është mosndërhyrja në sistemin e drejtësisë. Kjo nuk mund të jetë forma e tyre e politikëbërjes. Politika bëhet në tavolinë dhe dihet se cilat kushte duhet të përmbushen gjatë një procesi zgjedhor. Dhe një porosi personale deri tek BDI: njeriu i cili bisedonte dhe shiste identitetin tim maqedonas dhe gjuhën time maqedonase ka më së paku kredibilitet të flasë. Ai nëse nuk më respekton mua, atëherë nuk e respekton as gjuhën e tij amë shqipe.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Madje, Mickoski nëpërmjet ministrit të Jashtëm, Mucunski, ka alarmuar faktorin ndërkombëtar në vend, të cilët sipas tij kanë komunikuar me përfaqësues të BDI-së.

VLEN: Përçarje brenda Frontit Evropian

Nga koalicioni VLEN thonë se skenari i bojkotit të zgjedhjeve nuk ka asnjë lidhje me të ashtuquajturin "deshqiptarizim”, por është pasojë e përçarjeve të brendshme të Frontit Evropian nga frika se do të humbin zgjedhjet.

“Skenarit për bojkot dhe planeve për provokimin e incidenteve, ditën e zgjedhjeve i ka paraprirë një përçarje e brendshme në frontin e BDI-së.

BDI duhet të përgjigjet: A i ka thënë Ahmeti Selës se nuk mund të heqë dorë nga shërbimet e Ramiz Merkos? A është e vërtetë që Artan Grubi qëndron pas Ramiz Merkos, për shkak të pazareve të tyre të ndërsjella? A është e vërtetë që Zijadin Sela i është kërcënuar se do të bojkotojë zgjedhjet lokale në Strugë nëse Ramiz Merko nuk përjashtohet nga BDI?”, pyesin nga koalicioni VLEN.

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, në një intervistë televizive është shprehur se nuk mund të ketë zgjedhje pa rivendosjen e ekuilibrit, pa rivendosjen e legjitimitetit dhe pa garantimin e gjuhës.

Paraprakisht kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ishte edhe më i ashpër duke thënë se është e madhe mundësia që në tetor, kutitë e votimit fare të mos vendosen nëpër vendvotime. (Meral Ismaili, TVM2)