Vazhdon procesi gjyqësor ndaj Merkos, hidhet poshtë propozimi për vjetërsim, për pllakën duhet të dëgjohen dëshmitarët
Në Gjykatën Themelore të Strugës...

Në Gjykatën Themelore të Strugës vazhdoi procesi gjyqësor kundër kryetarit të komunës, Ramiz Merko, për blerjen e automobilit “Audi A6” për nevojat e komunës së Strugës dhe për vendosjen e pllakës në hyrje të ndërtesës komunale në dy seanca të ndara.
Seanca për blerjen e makinës luksoze ka nisur për shkak të ndryshimit të gjykatësit, i cili në seancën e kaluar ka kërkuar kohë për shqyrtimin e shkresave të lëndës. Ky proces ka filluar që në prill të vitit të kaluar.
“Duke pasur parasysh se paraprakisht ishte marrë vendim nga kolegia që e trajtonte lëndën, se kundërshtimi nuk pranohet, sepse seanca nis prej në fillim, unë kam marr sërish të njëjtin vendim, sepse besoj se është ndërprerë afati i vjetërsimit. Për këto arsye e hapëm seancën dhe filluam paraqitjen e provave.”, - deklaroi gjykatësi, Jordan Jovanov.
Jovanovi theksoi se gjykimi për pllakën e vendosur në hyrje të ndërtesës së komunës duhet të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarëve.
“Nuk mund të jepet përgjigje konkrete, sepse varet nëse sigurojmë praninë e dëshmitarëve. Lista është e gjerë, por kjo nuk do të thotë se ato do të pranohen në tërësi. Nisur nga mënyra se si është paraparë vepra, mendoj se vjetërsimi i plotë është viti 2028.”, - theksoi gjykatësi, Jordan Jovanov.
Ramiz Merko nesër sërish do të paraqitet në gjykatë, kësaj radhe për emërimin e paligjshëm të drejtorëve në disa shkolla fillore në Strugë dhe rajonin e Strugës. (Fitore Istrefi, TVM2)
