Zgjedhjet e 11 majit, garojnë tre koalicione dhe pesë parti
Drejt zgjedhjeve të 11 majit shkojnë tre koalicione...

Drejt zgjedhjeve të 11 majit shkojnë tre koalicione, ai i Sali Berishës, Dashamir Shehit dhe Adriatik Lapajt, ndërsa 5 parti të tjera garojnë të vetme, ndër të cilat Partia Socialiste e Edi Ramës dhe ajo Demokratët Euroatlantikë e Lulzim Bashës. Kësaj here ligji kërkon 186 emra nga secili subjekt, 46 në listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.
Një shpresë të madhe partitë politike e kanë te vota e diasporës që do të dërgohet në 107 shtete të botës, duke mbuluar përmes postës çdo cep të globit.
KQZ: Regjistrohen rreth 233 mijë emigrantë
KQZ mbylli mesnatën e mbrëmshme aplikimet onlajn, me rreth 233 mijë emigrantë të regjistruar. Mijëra shqiptarë përdorën orët e fundit për aplikime. E marta regjistroi mbi 13 mijë kërkesa të reja, ndërsa 53 persona ishin duke e bërë aplikimin në minutën e fundit, kur sistemi u mbyll. KQZ është duke shqyrtuar rreth 18 mijë kërkesat e fundit, ndërsa deri më tani, më shumë se 233 mijë votues nga jashtë janë pranuar dhe 42 mijë të tjerë janë refuzuar.
Të rinjtë, mes tyre edhe zgjedhës për herë të parë, të moshës 18-25 vjeç, kanë treguar interes të ulët. Shumë prej tyre mund të kenë lindur në emigracion e mund të mos kenë fare dokumente shqiptare.
Regjistrime më të ulëta shënojnë qarqet, Dibër, Gjirokastër e Kukës. Qarku verilindor shënon më pak se 4 mijë votues nga diaspora. (Luljeta Ndoka, TVM2)
