Fjalimi i parë i Trampit para Kongresit, Tramp: Amerika po kthehet në skenë
Donald Tramp në fjalimin e tij të parë para Kongresit...

Donald Tramp në fjalimin e tij të parë para Kongresit, i cili zgjati një orë e 40 minuta, shpalli fillimin e “epokës së artë të Amerikës“. Ai theksoi se Amerika po kthehet në skenë, më e fortë dhe me një të ardhme më të ndritshme.
“Vëllezërit e mi amerikanë, përgatituni për një të ardhme të jashtëzakonshme, epoka e artë e Amerikës po kthehet. Do të jetë si kurrë më parë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Gjatë fjalimit, Trampi trajtoi tema kyçe, si ekonomia, siguria kombëtare dhe imigracioni, duke premtuar zgjidhjen përfundimtare të çështjes së imigracionit dhe dëbimin e një milion imigrantëve të paligjshëm.
“Nëse vërtetë kujdesemi për mbrojtjen e fëmijëve amerikanë, nuk ka hap më të rëndësishëm se siguria e kufijve. Gjatë katër viteve të fundit, 21 milionë njerëz hynë ilegalisht në ShBA. Shumica janë vrasës, tregtarë me njerëz, anëtarë të bandave.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Ai kërkoi fonde nga Kongresi për të krijuar një sistem mbrojtjeje antiraketore të quajtur "Kupola e Artë", si dhe për realizimin e planeve për Grenlandën dhe Kanalin e Panamas.
Trampi mbrojti tarifat ndaj Meksikës dhe Kanadasë dhe njoftoi një fond për transformimin e Gazës, por nuk përmendi palestinezët.
Fjalimi shkaktoi tensione, me demokratët që u përpoqën ta ndërpresin, por spikeri Majk Xhonson ndërhyri.
Trampi falënderoi Elon Muskun për ndihmën në zbulimin e mashtrimeve dhe kritikoi shpenzimet për projekte të huaja.
Fjalimi përfundoi me një premtim për luftë kundër karteleve meksikane dhe për udhëheqjen e njerëzimit në hapësirë, duke shkaktuar reagime të ndara, duartrokitje nga republikanët dhe pakënaqësi nga demokratët. (Armend Murseli, TVM2)
