Itali, shpëtohen 100 emigrantë, Evropa nuk di si të përballet me situatën
Gati 100 emigrantë nga Somalia, Egjipti dhe Sudani janë grupi i fundit i shpëtuar në det nga ekipet italiane të shpëtimit derisa po përpiqeshin të arrinin në Evropë...

Autoritetet thonë se emigrantët, duke përfshirë edhe rreth 10 të mitur të pashoqëruar, arritën mbrëmë në një port italian në ishullin e Sicilisë. Ata kanë kaluar 12 ditë në det, për dy ditë anija është ndalur në vend nga një difekt në motor, emigrantët kanë mbetur pa ujë dhe u detyruan të pinin ujë nga deti. Për fat të mirë, pas dy ditësh motori u rregullua dhe ata arritën pranë brigjeve, ku edhe u shpëtuan nga policia detare italiane.
Vala e fundit e emigrantëve që rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropë ka nxitur një debat mbi mënyrën se si mund të parandalohet ky eksod. Presidenti i Francës, Francois Hollande, dëshiron një rezolutë të OKB-së që autorizon BE-në të shkatërrojë anijet e përdorura nga kontrabandistët që transportojnë ilegalisht mijëra emigrantë nga Afrika e veriut në Evropë. Por, presidenti i Kryqit të Kuq italian, Francesco Rocca, paralajmëroi se sugjerimi për bombardimin e anijeve të trafikantëve para se ato të mbushen me emigrantë nuk është zgjidhje.
"Për ne bombardimi i anijeve nuk është zgjidhje. Kjo duhet të jetë shumë e qartë, sepse trafikantët do të gjejnë rrugë të tjera. Ne nuk mund të harrojmë se rrugët e tjera nga Turqia dhe nga deti Egje tashmë po përdoren. Madje disa prej tyre janë përpjekur të arrijnë në ishujt grekë me not"- deklaroi presidenti i Kryqit të Kuq italian, Francesco Rocca.
Rocca thotë se situata e tanishme e migrimit nuk është një krizë, por vazhdim i mosreagimit të qeverive ndaj një dileme dhjetëvjeçare.
Duke mos pasur një plan të menjëhershëm për parandalimin e valës së emigrantëve, BE-ja ka vendosur të trefishojë operacionet e kërkim- shpëtimit pas kritikave që mori mbi reagimin ndaj krizës së emigrantëve. Premtimi erdhi ndërkohë që në Itali vazhdojnë të mbërrijnë emigrantë të tjerë të shpëtuar në det. Para disa ditësh, 900 emigrantë u mbytën kur anija e tyre u përmbys në brigjet e Libisë. (Migena Gorenca, TVM2)
