Britani, zgjedhjet parlamentare, partia konservatore fiton bindshëm
Partia Konservatore e qendrës së djathtë në Britani ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare të së enjtes, duke mundësuar që kryeministri, David Cameron, të formojë qeverinë e re pa pasur nevojë për koalicion si në mandatin e kaluar...

Laburistët e opozitës përjetuan një humbje tragjike në këto zgjedhje, duke u fshirë nga harta politike e Skocisë, ku nacionalistët nga 6 deputetët sot kanë fituar 58 të tillë në mbarë Skocinë. Cameron ka deklaruar se ai do të vazhdojë me synimet e tij për të mbajtur një referendum mbi qëndrimin ose jo të Britanisë në Bashkimin Evropian dhe për të përmbushur planin ekonomik të konservatorëve.
“Synimet e mia mbeten të qarta të qeverisë në bazat e qeverisjes për këdo që jeton në Mbretërinë tonë të Bashkuar, sepse unë dua ta mbaj vendin të bashkuar, duke implementuar sa më shpejt ato premtime për të cilat u bashkuam me partitë e tjera në Uells dhe Skoci”- deklaroi kryetari i Partisë Konservatore angleze, David Camerun.
Ed Miliband, lideri i laburistëve, ka dhënë dorëheqjen pasi partia e tij dështoi në këto zgjedhje edhe në Skoci përballë SNP-së. Edhe liberal-demokrati, Nick Clegg, ka njoftuar një veprim të tillë, pasi partia e tij doli shumë e tkurrur nga këto zgjedhje, nga 57 në 8 ulëse në parlament. Të njëjtën gjë ka bërë edhe lideri i UKIP-it, i cili në disa zona që konsideroheshin bastione të tij humbi përballë konservatorëve.
Nacionalistët skocezë tashmë nuk do të kenë mundësinë të jenë përcaktuesit për formën e qeverisë së ardhshme. Por, pavarësisht se i ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë, pritet që Cameron të nisë negociatat për një koalicion që do t’i japë më shumë frymëmarrje qeverisjes së tij.
Partnerët e mundshëm janë liberal-demokratët ose Partia Unioniste Demokratike e Irlandës së veriut. Gjithsesi, ky rezultat impresionues për kryeministrin Cameron do të forcojë pozitën e tij negociuese me Bashkimin Evropian dhe duket se e bën më të mundshëm referendumin për të ardhmen e Britanisë në BE, siç ka premtuar. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
