Botë

Kosovë, përfundon procesi i numërimit të votave

06.03.2025 11:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës e përfundoi procesin e numërimit të votave rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës e përfundoi procesin e numërimit të votave rreth një muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në vend më 9 shkurt. Votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta ishin të fundit që u numëruan në Qendrën e Numërimit të Rezultateve.
 
Zëdhënësi i KQZ-së, Vlamir Elezi, tha se partitë apo kandidatët për deputetë kanë 48 orë kohë për të bërë ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me ndonjë shkelje të supozuar gjatë numërimit që është zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.
 
Sipas të dhënave të KQZ-së, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, i ka fituar edhe votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta. Ajo i ka fituar 5.214 vota me kusht apo 44.25 për qind, si dhe 824 apo 31.88 për qind e votave të personave me nevoja të veçanta. Partia Demokratike e Kosovës i fitoi 20.17 për qind apo 2.377 vota me kusht dhe 621 apo 24.02 për qind të votave të personave me nevoja të veçanta. Lidhja Demokratike e Kosovës i mori 13.64 për qind apo 1.607 vota me kusht dhe 19.54 për qind apo 505 vota të personave me aftësi të kufizuara. Lista Serbe arriti t’i fitojë 6.33 për qind apo 746 vota me kusht dhe 7.85 për qind apo 203 vota të personave me nevoja të veçanta. Ndërsa koalicioni “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës-Nisma” i mori 5.63 për qind apo 4.663 vota me kusht dhe 8.86 për qind apo 229 vota të personave me nevoja të veçanta. KQZ-ja pritet të bëjë certifikimin e rezultateve në mes të këtij muaji.