Rajon

Epopeja e UÇK-së, Osmani, Kurti dhe Konjufca, homazhe në Prekaz

06.03.2025 13:08

Krerët e shtetit të Republikës së Kosovës në kuadër të aktiviteteve për Epopenë e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari”..

Krerët e shtetit të Republikës së Kosovës, si presidentja, Vjosa Osmani; kryeministri, Albin Kurti, dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca, në kuadër të aktiviteteve për Epopenë e UÇK-së, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Epopeja e UÇK-së i dedikohet përkujtimit në kohë lirie, të secilit Dëshmor e martirë që ka dhënë jetën për Kosovën, e mbi të gjitha sakrificës, guximit dhe trimërisë së familjes Jashari, deklaroi presidentja, Osmani.
 
“Ata luftuan shumë më gjatë sesa vetëm përgjatë viteve të luftës, duke u shndërruar kështu në emblemë të UÇK-së dhe njëkohësisht duke i shndërruar kullat e Jasharëve në simbol të kalasë së lirisë, e cila edhe sot e mbron Kosovën, e mbron lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.                           
                            
Kryeministri Kurti tha se tre brezat e Jasharëve, 59 persona gjithsej, rreth gjysma gra e fëmijë, u flijuan me 5-6 dhe 7 mars të vitit 1998 për çlirimin e Kosovës.
 
“Epopeja e UÇK-së i dha një hov të pandalshëm Kryengritjes së Armatosur dhe Luftës Çlirimtare. Shpërthyen demonstrata gjithëpopullore dhe solidaritet i paparë historikisht ndërmjet shqiptarëve në Ballkan, por edhe gjithandej në mërgatë, e njëkohësisht edhe u vetëdijesua dhe u ndërgjegjësua edhe publiku ndërkombëtar, edhe diplomacia botërore.”, - theksoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deklaroi kryeparlamentari, Glauk Konjufca.
 
“Me çdo 5, 6 dhe 7 mars vijmë këtu të gjithë së bashku, krerët e institucioneve të Kosovës, ministrat dhe qytetarët për t’u përkulur para varreve të Jasharëve të rënë në vitin 1998, për arsye se familja Jashari është krijuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është esenca e UÇK-së.”, - u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
 
Në shënim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në Kompleksin memorial "Adem Jashari" në Prekaz.


GYLTENE SINANI