Maqedoni

Kuvend, takimi Jandrokoviq - Gashi: Integrimi pos aspiratë, edhe imponim gjeopolitik

06.03.2025 13:34

Kroacia mbetet krah shteteve që mbështesin eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut...

Kroacia mbetet krah shteteve që mbështesin eurointegrimin e Maqedonisë së Veriut dhe inkurajon vendin që t’i tejkalojë pengesat e këtij rrugëtimi. Këtë mesazh e solli kryetari i kuvendit kroat, Gordan Jandronkoviq, i cili po ashtu potencoi nevojën për realizimin e reformave që i kërkon Bashkimi Evropian. Edhe për kryeparlamentarin kroat, anëtarësimi në Union ka peshë politike. Siç tha ai përpara deputetëve të vendit, bota është në rrezik dhe e kërcënuar nga skenarë të paparashikuar dhe në këto turbulenca kanë marrë kthesë edhe dy organizatat më të mëdha. Re të zeza kanë rënë edhe mbi BE-në dhe NATO-n, tha Jandrokoviq.

“E dimë se ballafaqoheni me probleme, e dimë se anëtarësimi juaj në NATO ishte e mbushur me pengesa dhe akoma ballafaqoheni me pengesa të caktuara edhe drejt rrugës për në BE. E keni përkrahjen tonë dhe më tutje të qëndroni në atë rrugë dhe t’i zgjidhni pengesat, sepse është mirë të krijohet partneritet jo vetëm në kuadër të NATO-s, por edhe në suaza të BE-së. Anëtarësimi në BE ka edhe rëndësi politike, sepse kjo sjellë siguri.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq.
 
Edhe kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me qëndrim se integrimi tashmë nuk është vetëm strategji dhe nevojë për zhvillim të brendshëm, por edhe mjet për sigurim, stabilitet dhe  paqe në rajon. Shton se kursi evropian vazhdon edhe përkundër pengesave të njëpasnjëshme në këtë aspiratë. Janë mirënjohës për BE-në, që mbështet integrimin përmes Planit të Rritjes për Ballkanin dhe Agjendës Reformuese.
 
“Megjithatë asgjë nuk na ka lënë lëkundur dhe as nuk na ka devijuar nga vendosmëria dhe prioriteti ynë për integrim në Bashkimin Evropian. Jemi të vetëdijshëm që kemi ende punë për të bërë, reforma për të zbatuar dhe çështje për të zgjidhur. Por, me aleatët si Kroacia dhe miqtë tjerë të BE-së, besojmë fuqishëm së ky proces do të jetë i suksesshëm edhe për ne, ashtu siç ishte për Kroacinë.”, - theksoi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi. 
 
Në takimin e dy kryekuvendarëve është diskutuar edhe thellimi dhe bashkëpunimin dypalësh nëpërmjet iniciativave dhe projekteve konkrete. Kryetari i parlamentit kroat, në takim zyrtar edhe me kryeministrin, Hristijan Mickoski, dhe kryetaren e shtetit, Siljanovska Davkova. Në kuadër të vizitës dyditore të tij, Jandrokoviqi bisedë edhe me komunitetin kroat, që jeton në vendin tonë dhe me përfaqësues të kompanive nga Kroacia.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU