Ekonomi
Paga minimale, Koçoska: Të dakordohen punëdhënësit dhe punëtorët
06.03.2025 13:56
Ministrja e Financave po shmang përgjigjen e prerë nëse shteti është i gatshëm të subvencionojë kontributet në pjesën e diferencës nga paga e re minimale...

Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, po shmang përgjigjen e prerë nëse shteti është i gatshëm të subvencionojë kontributet në pjesën e diferencës nga paga e re minimale e kërkuar nga sindikatat prej 500 euro. Nga deklarata e saj mund të konstatohet se Qeveria mbetet në qëndrimin për të mos ndërhyrë si palë në negociata. Koçoska nuk komentoi qëndrimet nga radhët e partisë në pushtet se paga minimale prej 500 euro do të nxisë inflacion shtesë.
“Sa i përket pagës minimale, nuk e di pse ka komente të tilla që kemi qenë në konflikt me sindikatat. Kam qenë shumë e qartë dhe kam thënë - punëdhënësit dhe punëtorët do të merren vesh. Çdo gjë për të cilën ata bien dakord do të jetë e pranueshme për ne. Ata kanë një dialog me njëri-tjetrin. Çfarëdo që të pranojnë atje, ne jemi të detyruar t'ia japim. Për çfarëdo që të merren vesh, unë si ministre e Financave do ta respektoj.”, - deklaroi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
VMRO-DPMNE: LSM-ja vepron me idetë e LSDM-së
Nga partia në pushtet, VMRO-DPMNE, akuzojnë se pas kërkesave të Lidhjes së sindikatave të Maqedonisë për rritjen e pagës minimale për 6.000 denarë dhe subvencionimin e kontributeve nga shteti qëndron LSDM. Sipas VMRO-DPMNE-së, qëllimi i tyre është ngecja e zhvillimit të shtetit.
“Kërkesat për kontribute të subvencionuara nga Qeveria janë një pengesë e ideuar nga LSD-ja dhe e zbatuar nga LSM-ja, e cila njihet nga populli si manipulim. Plani përfundimtar i LSD-së është ndalimi i zhvillimit të shtetit, kurse LSM-ja nën dirigjenten e Sllobodan Trendafilovit, i cili punon për postin e tij, është vetëm një mjet. LSD-ja synon përmes LSM-së të bllokojë dhjetëra milionë euro nga shteti në vend që t'i shpenzojë për kontribute në zhvillim. LSD-ja kërkon të mos ketë rrugë, spitale, shkolla, kopshte të reja.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Qeveria të gjejë mjete për pagën minimale
Ndërkohë LSDM-ja opozitare insiston që Qeveria të gjeje mjete për rritjen e pagës minimale në 500 euro. Sipas tyre, ekonomia po fundoset, standardi i jetesës së qytetarëve po përkeqësohet në mënyrë drastike, ndërsa Qeveria po tregon paaftësi dhe mosinteresim të plotë për krizën e shkaktuar. Sa i përket akuzave se Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë po paraqitet si zëdhënës i LSDM-së, Lukarevska tha se ekzistojnë fakte se edhe VMRO-DPMNE ka takime të koordinuara me Lidhjen e Sindikatave të Maqedonisë.
“Paratë nga buxheti duhet të jenë të destinuara për qytetarët! Kërkojmë nga Qeveria dhe shumica qeverisëse të japin para për rritjen e pagës minimale. Kjo është punë e Qeverisë, të gjejë para për paga më të larta të punëtorëve dhe t'i ndihmojë ata. Punëtorët meritojnë një jetë dinjitoze, jo mjerim dhe poshtërim! Nëse Qeveria nuk e bën këtë, LSDM do të paraqesë Ligjin për rritjen e pagës minimale.”, - u shpreh Sanja Lukarevska nga LSDM.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në prononcimin e tij të fundit, konfirmoi se nuk janë të parapara mjete buxhetore për subvencionimin e kontributeve sociale për një vit nga shteti. Theksoi se çdo zgjidhje e rënë dakord nga sindikatat dhe punëdhënësit është e pranueshme për të, por me shpenzimet e mbuluara plotësisht nga punëdhënësit.
FLORIJE KAMBERI
