Forumi Rinor Arsimor: Këmbimi i studentëve, jo i kënaqshëm

08.05.2015 14:33

Studentët e Maqedonisë dhe kuadri arsimor shumë pak e shfrytëzojnë mundësinë e programit “Erasmus Plus”, që ofron financim për studim në vendet evropiane...

Studentët e Maqedonisë dhe kuadri arsimor shumë pak e shfrytëzojnë mundësinë e programit “Erasmus Plus”, që ofron financim për studim në vendet evropiane, gjegjësisht këmbimin e studentëve dhe kuadrit arsimor me vende të tjera.
 
Sipas hulumtimit të Forumit Arsimor Rinor, vetëm 818 studentë në nivel shtetëror shfrytëzojnë këtë mundësi, që ofron këmbim të përvojave dhe njohurive nga universitetet tjera.
 
“Përmes programit “Erasmus plus”, mundësinë e kanë shfrytëzuar 818 studentë, kjo përqindje, duke marrë parasysh numrin e studentëve, është e vogël në nivel nacional, pasi kjo është për të gjithë studentët nga Maqedonia”- deklaroi Monika Bozhinovska nga Forumi Arsimor Rinor. 
 
Ndërkaq, sipas koordinatorit të projektit “Erasmus Plus”, Goce Veliçkovskit, për këtë qëllim janë realizuar më shumë se 70% të mjeteve dedikuar për këtë qëllim.
 
“Në vitin 2014 janë realizuar më shumë se 70% e mjeteve nga ana e institucioneve të arsimit të lartë dhe presim që ky numër të rritet”- tha koordinatori nga programi “Erasmus Plus”, Goce Veliçkovski.
 
Në vitin 2014, buxheti i programit “Erasmus Plus” ishte një milion euro, 75% prej të cilëve për këmbim të studentëve, ndërsa për vitin 2015 buxheti është rritur në 1.1 milion euro.
 
Studentët janë të kënaqur, pasi që para fillimit nënshkruajnë marrëveshje ndërinstitucionale, me çka garantohen se pranohen notat e fituara jashtë dhe fitohet diplomë plotësuese. 
 
Në Maqedoni për momentin 15 universitete janë me status të pranuar, që kanë mundësi të aplikojnë si për këmbim të studentëve ashtu edhe për kuadër arsimor. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)