Maqedoni
Mucunski: Përkushtohemi për thellim të bashkëpunimit
06.03.2025 14:20
RMV-ja do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë...

RMV-ja do të angazhohet për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të bazuar në mirëkuptimin e ndërsjellë, respektimin dhe ruajtjen e vlerave të përbashkëta. Kështu u shpreh shefi i diplomacisë, Timço Mucunski, në debatin e kushtuar “Dinamikës së Sigurisë Euroatlantike. Sfidat për NATO-n, Evropë dhe procesi i zgjerimit në BE”, të organizuar nga Fondacioni, Konrad Adanauer, dhe Fakulteti Filozofik pranë universitetit “Kirili dhe Metodi”. Bashkë me partnerët do të përkushtohemi për unitet dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal, tha ai.
“Jemi dëshmitarë të pritshmërive, ndryshimeve të shpejta, sfidave të shumta dhe kërcënimeve. Siç ka thënë edhe vet Konard Adenauer se të gjitha idealet e mëdha kanë filluar në shtëpinë dhe fqinjësi të dikujt. Në një botë të polarizuar është e patjetërsueshme së bashku me aleatët dhe partnerët tonë të ndërtojmë një rregullim paqësor dhe të qëndrueshëm. Besojmë se vetëm përmes përpjekjeve të përbashkëta dhe demonstrimin e unitetit mund të krijojmë hapësirë ku të gjitha shtetet do të kenë mundësi t’i promovojnë qëndrimet e tyre.”, - deklaroi ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski.
Gjuroski: Ndryshimet gjeopolitike janë kërcënim serioz
Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë rrugëtimin e tyre evropian, duke bashkëpunuar me aleatët që të garantojnë sigurinë rajonale dhe duke e kuptuar realitetin e ri të politikës së presidentit Tramp.
“Sot duhet të lihen anësh ndarjet dhe dallimet partiake, sepse do të miratohen vendime të jashtëzakonshme në Evropë, në botë dhe tek ne. Debati duhet të zhvillohet përmes institucioneve dhe dialogut politik, ndërsa ndryshimet gjeopolitike janë kërcënim serioz për sigurinë e gjithë botës dhe sot po ndërtohen politika të jashtme multivektoriale, konturat e së cilës formohen përmes politikave të presidentit, Tramp.”, - theksoi profesori universitar, Marjan Gjuroski.
Bakreski: Siguria e vendeve kërkon bashkëpunim
“Sot shtetet nuk mund të jenë garantuese të vetme të sigurisë së tyre, që do të thotë ato janë të orientuara në një shkallë më të lartë bashkëpunimi dhe kjo nënkupton pasja e një qasjeje më koherente që çështjet e hapura të zgjidhen përmes prizmës dhe qasjeve participuese.”, - u shpreh profesori universitar, Oliver Bakreski.
Ky lloj i diskutimeve dhe iniciativave ka për qëllim dhe synojnë të inkurajojnë bashkëpunimin dhe miqësinë mes të gjitha vendeve të rajonit. Njëherit në debatin e sotëm u tha se arritja e paqes në Ukrainë është në interes të të gjithëve në botë, andaj çdo iniciativë që do të vijë për armëpushim dhe më pas për negociata duhet të mbështetet nga gjitha vendet, u tha me këtë rast.
REXHEP QAMILI
