Maqedoni

Krimi përplas partitë shqiptare, VLEN: BDI votoi masat restriktive

06.03.2025 14:39

Partitë shqiptare në konfrontim të sërishëm, sa i takon përfaqësimit të denjë të shqiptarëve në ekzekutiv dhe përfshirjes eventuale në krim...

Partitë shqiptare në konfrontim të sërishëm, sa i takon përfaqësimit të denjë të shqiptarëve në ekzekutiv dhe përfshirjes eventuale në krim. Nga koalicioni VLEN ironizojnë përpjekjet e BDI-së për rikthim në pushtet, midis tjerash nëpërmjet deklaratave të nënkryetarit të BDI-së Bujar Osmani për marrjen e meritave me miratimin e ligjit për masa restriktive. Sipas VLEN-it, vetë integristët ndryshuan ligjin, i cili ndalon personat e inkriminuar të ushtrojnë detyra shtetërore, andaj sipas tyre populli me arsye i dërgoi në opozitë.
 
“Ishte pikërisht BDI-ja, ajo e cila ndryshoi ligjin ku u ndalohej të merrnin pozita udhëheqëse personave të cilat janë në listën e zezë të ShBA-së apo Britanisë së Madhe. Artan Grubi, shërbëtor i Gruevskit dhe Mijallkovit, Bujar Osmani i akuzuar në rastin “Pacienti”, njëri i arratisur e tjetri i dalldisur për pushtet, tani vajtojnë që populli i dërgoi në opozitë. BDI-në vetëm reformat e thella e shpëtojnë nga rrënimi dhe dalja nga humnera e krimit në të cilën është zhytur.”, thonë nga koalicioni VLEN.
 
BDI: Nga cili turp shpëtoi Stoilkoviqi VLEN-in
 
Nga BDI, me dyshime ndaj koalicionit shqiptar në pushtet për përfshirje eventuale në krim, pas deklarimeve të ministrit për Marrëdhënie midis Bashkësive, Stoilkoviq, se i ka shpëtuar nga turpi.
 
“Çfarë ka neglizhuar apo tradhtuar VLEN-i, që edhe një eksponent i botës serbe ka qenë i detyruar t’i shpëtojë nga dështimi? Mos vallë skandalet e korrupsionit që po dalin në dritë për ministrat e tyre i kanë hutuar aq shumë, sa tashmë, përveç se udhëheq Ministrinë për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Stoilkoviqi qenka bërë edhe përgjegjës për çështjen shqiptare në Maqedoninë e Veriut? BDI dënon këtë situatë të turpshme dhe të rrezikshme për përfaqësimin e shqiptarëve.”, thonë nga BDI.
 
Sipas integristëve, VLEN-i nuk ka autonomi politike, integritet e as legjitimitet për të mbrojtur interesat e shqiptarëve.
 
MERAL ISMAILI