Botë
Samiti special i BE-së, mbështetje për Ukrainën dhe mbrojtjen evropiane
06.03.2025 15:09
Mbështetja për Ukrainën dhe mbrojtja evropiane, në fokus të samitit special të BE-së në Bruksel...

Kthesë historike. Mbështetja për Ukrainën dhe mbrojtja evropiane, në fokus të samitit special të BE-së në Bruksel, ku merr pjesë edhe Zelenski. Po negociohet struktura financiare dhe sigurimi i fondeve për sigurinë e Kontinentit të Vjetër, pasi ShBA-ja deklaroi se Evropa është vetë përgjegjëse për veten dhe ndaluan ndihmën ushtarake për Kievin.
“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Këshillin për të ndërtuar sigurinë evropiane. Do të marrim vendime dhe do t’i zbatojmë ato. Siguria dhe mbrojtja e Evropës nuk janë të ndara nga ato të Ukrainës. I dashur Volodimir, ne vazhdojmë të jemi me ty në marrëveshjet e paqes, kur ju të vendosni. Dhe më e rëndësishmja, në të ardhmen, si anëtare e Bashkimit Evropian.”, - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.
“Kjo është një pikë kthese për Evropën. Ukraina është pjesë e familjes evropiane. Evropa po përballet me një rrezik të qartë dhe aktual, prandaj si BE-ja, ashtu edhe Ukraina duhet të mbrohen. Do t’ua paraqes liderëve të BE-së planin për riarmatim me vlerë 800 miliardë euro. Kjo do të nënkuptojë edhe armatosjen e Ukrainës.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
“Këto nuk janë vetëm fjalë, e dimë që nuk jemi vetëm. Ky është një sinjal i fortë për Ukrainën dhe ukrainasit. Një sinjal për rritjen e prodhimit tonë të armëve dhe për forcimin e sigurisë evropiane.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Parisi është i hapur për zgjerimin e ombrellës bërthamore franceze me partnerët evropianë, tha Makroni para takimit. Sfida më e madhe për BE-në është gjetja e një qëndrimi të bashkuar dhe mbështetjes unanime, pasi Hungaria kërkoi të mos përmendet në asnjë përfundim të shkruar nga samiti. Në të njëjtën kohë, pas përpjekjes së pasuksesshme në Shtëpinë e Bardhë, vazhdon diplomacia në linjën Uashington-Kiev, me shumë gjasa gjatë javës së ardhshme. Për Poloninë, kjo është një shpresë se paqja është e realizueshme.
“Rikthimi i bisedimeve midis Ukrainës dhe ShBA-së jep shpresë, një mundësi për të arritur një paqe të drejtë. Ne i mbështesim marrëdhëniet transatlantike, rritjen e kapaciteteve evropiane, gjithçka që nevojitet për ta bërë tryezën e bisedimeve një vend dialogu, mirëkuptimi dhe kërkimi të zgjidhjes më të mirë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Vladislav Kosinjak-Kamish.
Për Kremlinin ky është një sinjal pozitiv, por edhe më tej qëndron në qëndrimin se ekzistojnë pengesa, derisa Putini vazhdon të realizojë objektivat e tij të përcaktuara.
“Gjithçka që bëjmë, si në front ashtu edhe këtu, duhet të ndjekë të njëjtën logjikë – të fitojmë, të sigurojmë sigurinë e shtetit dhe të ardhmen e Rusisë. E kemi përfunduar shpërndarjen e pasaportave për banorët e rajoneve të çliruara Donjeck, Luhansk, Herson dhe Zaporizhja.”, - theksoi presidenti rus, Vladimir Putin.
Uashingtoni nuk ndan më inteligjencën ushtarake me Kievin. Ndërkohë Franca po pret javën e ardhshme një takim të shefave të shtabit të forcave të armatosura të vendeve evropiane.
BELINDA KOKA ADEMI
