Maqedoni
Faturat e larta, qytetarët protestojnë para EVN-së në Shkup
06.03.2025 15:23
Çmimet e larta, sidomos çmimet e energjisë elektrike, kanë detyruar disa qytetarë të protestojnë para ndërmarrjes EVN në Butel....

Qytetarë të revoltuar nga faturat e larta të energjisë elektrike kanë protestuar para zyrës së kompanisë EVN në Shkup, ku kanë paralajmëruar që të merren masa konkrete në drejtim të korrigjimit të të njëjtave, sepse kjo gjendje, sipas të njëjtëve është bërë e papërballueshme. Kjo protestë ishte e iniciuar kryesisht nga banorët e fshatrave Haraçinë dhe Hasanbeg, të organizuar përmes rrjeteve sociale, ku kanë shfaqur edhe faturat e energjisë elektrike.
Qindra qytetarë të Shkupit janë mbledhur këtu pranë selisë së EVN-së këtu në Shkup për ta treguar dhe shfaqur revoltën e tyre, të cilën ata e kanë ndaj kësaj kompanie për faturat e larta të Energjisë Elektrike. Të njëjtit kanë potencuar se, nëse nuk merren masa konkrete për t’i ulur çmimet, do të radikalizohet protesta.
Sipas qytetarëve, faturat në çdo muaj po shënojnë rritje, ndërsa çmimi i faturave për muajin e fundit ka arritur deri në edhe mbi 46.000 denarë, por realisht po sillen nga 35.000 deri në 75.000 denarë.
“Ne si familje dhe si qytetarë të këtij vendi jemi duke u përballur me faturat e energjisë elektrike me çmime marramendëse, të cilat janë të papërballueshme për ne. Faturat që vinë janë mbi 46 mijë denarë. Kërkojmë nga EVN-ja që të marrë masa urgjente për zgjidhjen e këtij problemi.”, - theksoi organizatori i protestës, Agim Demiri.
“Mbrëmë EVN ka treguar se 2.200 fatura i ka korrigjuar. Ne këtu s’kemi dalë për vete, por përtë gjithë. EVN-ja na ka vjedhë dhe mbrëmë e ka pranuar, sepse ka pranuar se i ka korrigjuar 2.200 fatura dhe kemi ardhur këtu t’i themi mos na vidhni më.”, - u shpreh aktivisti, Ramadan Ramadani.
“Në një shtëpi ku jetojnë një familje 5-anëtarëshe, nëse i vjen fatura 13 mijë denarë, është shumë. Vjedhësi dhe hajduti po kërkohet në Haraçinë. Jo, mendoj se vjedhësi është tek këto. Unë e di se duhet të paguhet rryma dhe jemi duke e paguar.”, - tha banori i Haraçinës, Naser Jusufi.
“Të gjithë që jemi klasa punëtore e kemi të paguar rrymën. 1.600 shtëpi i kam të gjithë në kompjuter, që tregon se i kanë faturat e paguara.”, - u shpreh Qazim Limani nga Shoqata e Pensionistëve në Haraçinë.
Nga ndërmarrja e shpërndarjes së energjisë elektrike EVN, kohë më parë kanë bërë të ditur se me rregull janë duke i lexuar orët për harxhimet e Energjisë Elektrike, ndërsa po ashtu janë bërë edhe korreksione në plot 2.200 fatura. Sipas kësaj kompanie, pjesa më e madhe e orëve elektrike nëpër shtëpi janë lexuar, ndërsa vetëm një përqindje e vogël mbeten të palexuara gjatë muajit, sepse, siç thonë ata, janë matës të mbyllur ose ndodhen në zona rurale që nuk janë të aksesueshme gjatë gjithë vitit.
FITIM KRYEZIU
