Ekonomi

Raporti ekonomik i Maqedonisë 2024, Miteva: Është shënuar rritje e BPV-së

06.03.2025 15:37

Bruto Prodhimi Vendor për vitin 2024 ka shënuar një rritje prej 2.8 për qind, ndërsa Investimet e Huaja Direkte kanë arritur mbi 1 miliard euro...

Bruto Prodhimi Vendor (BPV) për vitin 2024 ka shënuar një rritje prej 2.8 për qind, ndërsa Investimet e Huaja Direkte (IHD) kanë arritur mbi 1 miliard euro, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva. Sipas saj, edhe sektori i ndërtimit ka shënuar një rritje të ndjeshme prej 13.2 për qind, duke konfirmuar rritjen e investimeve dhe intensifikimin e projekteve infrastrukturore.
 
“Prodhimi i brendshëm bruto (BPV) i Maqedonisë shënoi një rritje prej 3.2 për qind në tremujorin e fundit të vitit 2024, duke e çuar rritjen e përgjithshme të BPV-së për të gjithë vitin në 2.8 për qind. Këto shifra pasqyrojnë performancën e qëndrueshme ekonomike. Gjithashtu kemi  një moment historik për investimet e huaja direkte, të cilat kanë arritur në 1 miliard e 255 milionë euro – shifra më e lartë ndonjëherë në historinë e Maqedonisë.”, - deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
 
LSDM: Këto shifra janë qesharake
 
Еdhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, vlerësoi rritjen prej 3.2% të BPV-së në tremujorin e katërt të vitit si një sinjal se ekonomia po fillon të rimëkëmbet dhe të stabilizohet gradualisht. Lidhur me këto të dhëna ka reaguar opozitarja, LSDM, sipas së cilës këto shifra në tremujorin e fundit janë qesharake, pasi siç thonë inflacioni është 5%, ndërsa në ushqim ka arritur nga 10 në 15%.
 
“Me lehtësi të pabesueshme, Koçoska paraqet fitoret ekonomike, ndërsa 83 mijë punëtorë nuk kanë marrë rroga për muajin janar, ndërkohë që çmimet janë vazhdimisht në rritje dhe ajo nuk bën asgjë, ndërsa pagat janë në stagnim dhe personalisht është kundër rritjes së tyre. Ky është nënvlerësim dhe tallje me hallin e qytetarëve nga ana e ministres, e cila përveç ofendimeve ndaj deputetëve, fjalë për fjalë nuk ka bërë asgjë në interes të qytetarëve.”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare.
 
Nga LSDM tashmë thonë se do të kërkojnë çdo ditë dorëheqjen e Dimitrieska Koçoskës. Shtojnë se rritja e çmimeve dhe pagat e ulëta mbeten një shqetësim i madh për shumicën e qytetarëve dhe është e nevojshme që Qeveria të adresojë me seriozitet këto çështje.


ARMEND MURSELI