30 milion denarë për motivim artistik të personave me aftësi të kufizuara

08.05.2015 14:35

Prej muajit të ardhshëm, personat me aftësi të kufizuar, të cilët janë kreativ dhe kanë prirje për art, do të motivohen edhe financiarisht...

Kështu parasheh memorandumi për bashkëpunim që u nënshkrua nga ministrat e Kulturës dhe Punës dhe Politikës Sociale.  Projekti “Inkluziv dhe kreativ” në një farë mënyrë do t’i motivojë të njëjtit që të ndihen të barabartë në shoqëri.

“Jam e sigurt se ky projekt dukshëm do të ndikojë në përforcimin dhe kreativitetin e personave me nevoja të veçanta. Këta persona të cilët janë sensibil dhe krijojnë vepra kreative, meritojnë përkrahje të veçantë dhe t’u ndihmojmë që të integrohen në kulturën dhe shoqërinë tonë”- deklaroi ministrja e Kulturës, Elizabeta Kançeska Milevska.

“Të gjitha këto të drejta do të hynë në fuqi muajin e ardhshëm. Janë bërë ndryshime ligjore, me të cilat parashihen mjete financiare mbi 30 milion denarë. Prioritet dhe qëllimi  ynë i përbashkët është përmirësimi i bashkëpunimit ndërinstitucional përmes praktikës, me qëllim të përmirësimit të kujdesit të personave me invaliditet”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov.

Arti i punuar me kallëpe të veçanta dhe motive të pasura nga trashëgimia dhe historia kulturore e vendit do të cilësohet si prodhim i veçantë dore. Projekti do të mundësojë që personat me nevoja të veçanta, të cilët janë të vendosur në qendrat ditore të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, t’i shesin punimet e tyre kreative, të cilat do të publikohen në 20 dyqane suvenirësh në tërë shtetin. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)