Shqipëri, me vendim të Qeverisë mbyllet platforma Tik-Tok
Në mes të këtij muaji, askush nuk mund të përdorë Tik-Tok në Shqipëri...

Në mes të këtij muaji, askush nuk mund të përdorë Tik-Tok në Shqipëri. Me vendim të Qeverisë, kjo platformë do të mbyllet përmes Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike dhe ky kufizim do të vlejë për të paktën 12 muaj.
“Kemi analizuar efektet që vijnë nga këto platforma, kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve apo me raste të dhunës fizike. Grupi i punës ka pasur në përbërje të gjithë autoritetet përkatëse, duke marrë faktet dhe elementet që kanë pasur rëndësi maksimale. Kemi rekomanduar mbylljen apo kufizimin e aksesit në Tik-Tok, për një periudhë 12-mujore, që do të na lejojë marrjen e masave në bashkërendim me përfaqësuesit e platformës Tik-Tok.”, - deklaroi ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu.
Rihapja e Tik-Tok-ut do të realizohet vetëm nëse kompania kineze do të vendosë filtra që të shmanget gjuha e dhunës dhe përmbajtjet problematike në këtë rrjet.
Tik-Tok-u në Shqipëri është një platformë me mbi 1 milionë përdorues, e përdorur gjerësisht edhe për biznes.
Opozita e konsideroi vendimin e Qeverisë një akt censure dhe njoftoi më 15 mars një protestë kombëtare. (Luljeta Ndoka, TVM2)
