Botë
KE shpall planin për financimin e mbrojtjes
07.03.2025 11:28
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, dha detaje të mëtejshme...

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, dha detaje të mëtejshme mbi një plan me pesë hapa për të financuar investime masive të mbrojtjes në Bashkimin Evropian.
“Një fond i ri me 150 miliardë euro kredi do të përdoret për prokurime të përbashkëta nga prodhuesit evropianë. Një pjesë e blerjeve duhet të jetë për përfitimin e Ukrainës.”, tha Von der Lejen.
Vendeve të BE-së do t’u jepet mundësia për të ridrejtuar fondet e zhvillimit rajonal drejt investimeve të mbrojtjes. Presidentja e komisionit shpreson gjithashtu të mobilizojë më shumë kapital privat.
“Ne duhet të sigurohemi që industria jonë e mbrojtjes, veçanërisht ndërmarrjet tona inovative të reja dhe kompanitë me kapital të mesëm, të kenë akses të plotë në financim.”, tha ajo.
Komisioni synon gjithashtu të thjeshtojë rregullat e BE-së në lidhje me investimet në mbrojtje. Von der Lejen planifikon të paraqesë propozime legjislative për shtetet anëtare përpara samitit të ardhshëm të BE-së pas dy javësh.
