Maqedoni
Shkarkimi i kryeprokurorit, Kocevski: Nuk ka bazë për konstatim të shkeljes
07.03.2025 14:12
Kocevski vlerëson se nuk ka bazë juridike për konstatimin e shkeljes së rëndë disiplinore...

Pas pranimit të propozimit qeveritar për shkarkim, kryeprokurori Lupço Kocevski vlerëson se nuk ka bazë juridike për konstatimin e shkeljes së rëndë disiplinore, si arsye për të cilën prokurori publik i shtetit do të shkarkohej nga pozita e tij. Ai qëndron në deklarimin e mëparshëm se ka punuar në mënyrë të ndershme dhe në pajtueshmëri me ligjin.
“Gjatë ditës së djeshme e pranova propozimin nga Këshilli i Prokurorëve Publikë dhe në një afat të arsyeshëm do të deklarohem për të gjitha pikat. Nga ajo që pata mundësi të shqyrtoj se në propozimin e dhënë nuk ka asnjë bazë për vërtetimin e shkeljes së rëndë disiplinore. Qeveria i referohet të njëjtës që u theksua në media periudhën e fundit.”, - deklaroi kryeprokurori, Lupço Kocevski.
Pas shqyrtimit të propozimit do të prononcohet edhe Këshilli i Prokurorëve, qëndrim ky që nuk është i detyrueshëm për deputetë që kanë fjalën e fundit për shkarkimin e Kocevskit. Sa i përket ndodhive në Prokurorinë e Lartë në Shkup, pas suspendimit të kryetarit të saj, Mustafa Hajrullahi, Kocevski tha se gjatë kësaj jave është mbajtur një kolegjium i zgjeruar në Prokurorinë Republikane ku është marrë vendim që prokurorja, Natasha Kërstevska Caleva, të vazhdojë të kryejë funksionin.
Kërstevska Caleva paraprakisht kërkoi nga Këshilli i Prokurorëve që ta largojnë nga kjo pozitë, për të cilën Këshilli akoma nuk ka vendosur. Njëherit, në seancën e sotme të Këshillit të Prokurorëve u zgjodhën 32 prokurorë edhe pse u paralajmërua se do të zgjidhen 47. Numri më i madh i prokurorëve janë zgjedhur në qytetin e Shkupit.
FLORIJE KAMBERI
