Maqedoni
7 Marsi në Strugë, arsimtarët në pension evokojnë kujtime
07.03.2025 14:29
7 Marsi - Dita e Mësuesit është një ditë e veçantë për arsimtarët në pension në Strugë, pasi ata e kujtojnë me shumë nostalgji këtë ditë të shënuar...

7 Marsi - Dita e Mësuesit është një ditë e veçantë për arsimtarët në pension në Strugë, pasi ata e kujtojnë me shumë nostalgji këtë ditë të shënuar. Ky vit, organizata e pensionistëve mbajti një takim emocionues në sallën e Këshillit Komunal të Strugës, ku kolegët u mblodhën për të festuar dhe për të ndarë kujtime dhe përjetime nga periudha e tyre profesionale.
"Së pari, gëzuar 7 Marsin, Ditën e Mësuesit. Në Strugë dhe rrethin e Strugës shkollat u hapën në vitin 1941, me 7 shkolla të para shqipe. Të gjithë mësuesit kanë qenë të ardhur nga Shqipëria, me një numër prej 68 mësuesish. Në vitin 1990-1991, për herë të parë në Strugë, 7 Marsi u festua në Shtëpinë e Kulturës.", - deklaroi historiani, Nebi Dervishi.
"Kjo festë tradicionalisht festohet edhe tani. Kjo festë jo vetëm në Strugë, por festohet në çdo shkollë.”, - tha një mësues.
Ata ndanë momente të paharrueshme të karrierës së tyre, duke rikujtuar me nostalgji momentet më të bukura dhe sfidat që kanë kaluar nëpër vite.
“Me aktivitetin si profesor kam filluar që nga viti 1997 – 1998. Që nga ai vit, pasi kam qenë profesor i gjuhës, jam marrë me organizimin e 7 dhe 8 Marsit, në Strugë. Vite me radhë punon dhe vepron me sukses shoqata e pensionisteve të arsimit. Vite me radhë ne festojmë dhe organizojmë festa kushtuar 7 Marsit. Ndër të tjera shënuam edhe 100 vjetorin e vdekjes se patriotit të madh, Luigj Gurakuqi.”, - theksoi Resul Bekteshi.
Gjatë këtij takimi u lexuan poezi, u kënduan këngë dhe u mbajtën referate, duke e bërë këtë ngjarje edhe më të veçantë.
FITORE ISTREFI
