Maqedoni
Inspektorati i Tregut sjell rezultatet, 8 kompani me marzhë fitimi deri në 70%
07.03.2025 14:44
Tetë subjekte juridike, respektivisht tre markete, një farmaci dhe tre kompani importuese të frutave dhe perimeve, rrezikojnë të mbyllen 15 ditë...

Tetë subjekte juridike, respektivisht tre markete, një farmaci dhe tre kompani importuese të frutave dhe perimeve, rrezikojnë të mbyllen 15 ditë, për shkak të moszbatimit të masave të Qeverisë për kufizimin e marzhës. Përveç mbylljes, këto kompani veç më janë gjobitur, pasi që inspektorët konstatuan se marzha e fitimit të tyre ka arritur në 70 për qind. Këto janë rezultatet e para të inspektimeve të kryera në terren nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
“Nga kontrollet janë konstatuar parregullsi në punën e tetë subjekteve juridike, ku marzhat kanë arritur deri në 70 për qind. Përveç mbylljes së përkohshme, këto subjekte do të sanksionohen edhe me gjoba. Me këtë rast janë shqiptuar urdhërpagesa për kundërvajtje në vlerë të përgjithshme prej 42 mijë eurosh.”, - deklaroi drejtori i Inspektoratit të Tregut, Vllatko Stojkovski.
Inspektorët nuk do të kenë mëshirë për askënd që do të tentojë të përfitojë mbi kurrizin e qytetarëve. Andaj kontrollet e inspektorëve në terren do të vazhdojnë me intensitet akoma më të madh gjatë ditëve në vijim. Ndërkohë, Inspektorati Shtetëror i Tregut është duke shqyrtuar edhe 30 raste të tjera që lidhen me markete të ndryshme të mëdha, nëse ata kanë respektuar masën qeveritare apo jo.
“Inspektorët janë vazhdimisht në terren dhe realizojnë kontrolle pa ndërprerje. Aktualisht po punojmë mbi 30 raste të tjera që përfshijnë të gjitha marketet e mëdha. Kontrollet e Inspektoratit Shtetëror të Tregut do të vazhdojnë në mënyrë intensive, tek importuesit, distributorët, prodhuesit, marketet dhe farmacitë, pikat e karburantit, në tërë territorin e vendit.”, - deklaroi drejtori i Inspektoratit të Tregut, Vllatko Stojkovski.
Prej 24 shkurt e deri më 6 mars, Inspektorati i Tregut realizoi gjithsej 365 inspektime në pikat e shitjes me pakicë dhe 64 të tjera në pikat e shitjes me shumicë, duke përfshirë rreth 1.000 subjekte tregtare. Gjatë këtyre inspektimeve janë konstatuar gjithsej 36 shkelje. Pavarësisht shkeljeve të konstatuara, Stojkoski vlerësoi se masat qeveritare janë respektuar në pjesën më të madhe.
REXHEP QAMILI
