Maqedoni

Përfaqësimi i shqiptarëve në armatë, BDI: Armata pa shqiptarë në pozita drejtuese

07.03.2025 15:56

BDI dhe VLEN sërish janë përplasur për përfaqësimin e shqiptarëve nëpër institucione sidomos në pozita drejtuese...

Bashkimi Demokratik për Integrim akuzon koalicion VLEN se armata nuk ka shqiptarë në pozicione drejtuese. I fundit që gëzonte pozitë kryesore – komandant të Komandës së Operacioneve, sipas tyre ishte gjenerali, Besnik Emini. Partia e Ahmetit konsideron se lëvizjet e tilla janë anti-NATO dhe kërkojnë nga aleanca e veriut që të ndërhyjë për të parë sipas tyre përjashtimin sistematik të shqiptarëve.
 
“Emërimi i gjeneralëve, Orce Jordev dhe Mirçe Gjorgevski, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga NATO-ja për certifikatat e sigurisë, ngre shqetësime serioze mbi orientimin strategjik të vendit tonë. Për herë të parë, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse. Ky përjashtim i qëllimshëm i shqiptarëve nga institucionet kyçe të sigurisë përbën një kërcënim serioz për sigurinë e shtetit dhe ngre pyetje mbi qëllimet pas këtij spastrimi etnik në sistemin e sigurisë.”, thonë nga BDI.
 
VLEN: Avancimi i Eminit, pjesë e pazareve të BDI-së
 
Po nga VLEN-i thonë se BDI, e cila thirret në emër të luftës, me pretendimet e tilla i ka shpallur luftë vetes. Nga VLEN-i ngrenë dyshime nëse avancimi i dikurshëm i gjeneralit, Emini, është pjesë e pazareve të BDI-së për të qëndruar në pushtet. Sipas tyre, BDI është në frikë nga përballja me elektoratin në zgjedhje lokale, andaj po luajnë me skenarë bojkoti dhe destabilizimi.
 
“A mund të jetë rastësi që Besnik Emini, pjesë e armatës së Maqedonisë gjatë vitit 2001, u gradua në gjeneral pikërisht nga BDI? Jo, sepse gjithçka që ka bërë kjo parti në këto 20 vjet ka qenë në kurriz të shqiptarëve! Çfarë e lidh BDI-në me Besnik Eminin? Pse eksponentët e saj derdhën lot për të? A ishte ky një pazar i zakonshëm për të mbajtur pushtetin?”, pyesin nga koalicioni VLEN.
 
Edhe deputetja socialdemokrate, ish-ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska, ka kritikuar ndryshimet e fundit të kuadrit në ushtri. Ajo pretendon se shkarkimi i disa gjeneralëve me rekorde ushtarake jashtëzakonisht profesionale është i pajustifikuar dhe i papranueshëm.
 
Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, në përputhje me dispozitat e Ligjit për mbrojtje, me dekrete emëroi eprorë në pozicione të gjeneralëve. Dekretet e nënshkruara nga presidentja, Siljanovska Davkova, ekzekutohen menjëherë, njoftojnë nga kabineti presidencial.


MERAL ISMAILI