Samiti në Bruksel, BE me plan të ri për forcimin e mbrojtjes, Hungaria kundërshton mbështetjen për Ukrainën

07.03.2025 16:06

Bashkimi Evropian ka miratuar një plan të ri...

Bashkimi Evropian ka miratuar një plan të ri për forcimin e mbrojtjes së përbashkët, duke përfshirë 150 miliardë euro kredi për vendet anëtare.

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta, deklaroi se të gjitha 27 vendet anëtare janë bashkuar në mbështetjen e këtij plani, duke theksuar se ky është një hap i rëndësishëm drejt një mbrojtjeje më të fortë dhe më sovrane të Evropës.

"Një muaj më parë patëm një diskutim strategjik mbi mënyrën se si të udhëheqim veprimet tona të përbashkëta për mbrojtjen. Sot po arrijmë rezultate dhe po ecim me vendosmëri drejt një mbrojtjeje më të fortë dhe më sovrane të Evropës.”, - deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Kosta.

Megjithatë, liderët evropianë nuk arritën të bien dakord për vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, për shkak të kundërshtimit të Hungarisë. Si rezultat, konkluzionet u miratuan pa mbështetjen e saj, duke mbetur vetëm një deklaratë politike e BE-së, e përkrahur nga 26 vendet e tjera anëtare.

Ky mosdakordim krijon pasiguri lidhur me të ardhmen e ndihmës ushtarake për Kievin, por liderët planifikojnë të rihapin diskutimet në samitin e ardhshëm.

"Të gjithë ne duam paqe, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, por nga një pozicion force. Kjo është në interesin e presidentit, Tramp. Nëse ai dëshiron ta arrijë këtë, është e mundur vetëm me mbështetjen e BE-së dhe vendeve të saj anëtare, sepse duhet të plotësohen disa parakushte. Ne kemi siguruar mbijetesën ekonomike të Ukrainës për vitin 2025. Kjo është në interesin e të gjithëve.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.

Orban: Kostot janë të larta, nuk mund ta përballojmë

Sllovakisë i është premtuar ndihmë për ta bindur Zelenskin që të vazhdojë furnizimet me gaz rus. Megjithatë, Hungaria mbeti e paepur. Për ta, shpenzimet për Ukrainën janë tepër të larta.

"Ne duhet të shpenzojmë më shumë para për të forcuar kapacitetet tona ushtarake dhe mbrojtëse. Por, në të njëjtën kohë, dikush duhet të financojë ushtrinë ukrainase, që është një shumë e madhe parash dhe amerikanët nuk do të jenë pjesë e kësaj në të ardhmen. Dhe mendoj se këto tre çështje së bashku, këto tri paketa, janë thjesht shumë. Evropa nuk mund ta përballojë këtë. Hungaria, me siguri, jo.”, - u shpreh kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.

Liderët e BE-së u zotuan të punojnë së bashku, pasi Trampi sinjalizoi se Evropa është vetë përgjegjëse për sigurinë e saj. Pas samitit, Zelenski njoftoi se negociatorët ukrainas do të takohen me një delegacion amerikan në Riad javën e ardhshme, ku pritet edhe nënshkrimi i dokumentit për mineralet e rralla. (Armend Murseli, TVM2)