Maqedoni

Shënohet 7 Marsi, Dita e Mësuesit, ndahen lule, mirënjohje, por edhe vendime pune

07.03.2025 16:10

Në hapësirat shqiptare shënohet sot Dita e Mësuesit....

Në hapësirat shqiptare shënohet sot Dita e Mësuesit. Kjo festë shënon hapjen e mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, më 7 Mars të vitit 1887, nën drejtimin e Pandeli Sotirit. Me një manifestim rasti, 7 dhe 8 Marsi u shënuan edhe në komunën e Çairit.
 
7 Marsi është një nga datat më të rëndësishme për arsimin dhe kulturën shqiptare, deklaroi në manifestimin e organizuar në Shkup, zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
 
“Kjo ditë nuk është vetëm një përvjetor historik, por një moment reflektimi për kontributin e jashtëzakonshëm të mësuesve në ndërtimin e shoqërisë sonë. Në errësirën e padijes, mësuesit janë ta që ndezin pishtarin e diturisë. Ata shëndrrisin në qiellin e mendjeve të etura duke çel horizonte të reja aty ku më parë ishte vetëm terr.”, - deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Lulzim Aliu.
 
Urime për Ditën e Mësuesit - 7 Marsin, në emër të zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, përcolli zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi. 
 
“Qeveria e RMV-së i njeh sfidat me të cilat përballet arsimi bashkëkohorë sot. Mbesim të përkushtuar në gjetjen e zgjidhjeve më të mira për t’i adresuar ato. Përmirësimi i kushteve në shkolla, si për mësimdhënësit ashtu edhe për nxënësit, është një prioritet i rëndësishëm dhe i vazhdueshëm.”, - theksoi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.
 
Me këtë rast, komuna e Çairit i nderoi me mirënjohje mësuesit në arsimin fillor dhe parashkollor. Kryetari i kësaj komune, Visar Ganiu, tha se në ditën e 7 Marsit duhet të nderohen jo vetëm mësuesit aktivë, por edhe ata që me dekada kontribuuan për arsimin shqip dhe tani janë të pensionuar. 
 
“Arsimi nuk është vetëm një proces akademik, por një mjet i fuqishëm për ndërtimin e një shoqërie të ndriçuar, të barabartë dhe të përparuar. Ai është baza mbi të cilën ndërtojmë vlera si toleranca, respekti, mendimi kritik dhe inovacioni. Pikërisht për këtë arsye, sot, më shumë se kurrë, është e rëndësishme që t’i mbështesim mësuesit tanë dhe të krijojmë kushte më të mira për zhvillimin e arsimit.”, - u shpreh kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Kryetari i Çairit, Ganiu, njëherit njoftoi për 51 vendime pune, 43 prej të cilëve janë ndarë për punonjësit në arsimin fillor dhe 8 vendime për arsimin parashkollor.
 
FITORE DEMOLLI