Sjellja e Beogradit në KiE, BE: Serbia po e shkel marrëveshjen me Kosovën
Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia...

Bashkimi Evropian vlerëson se Serbia, me sjelljen e saj në Këshillin e Evropës, është duke e shkelur Marrëveshjen e Ohrit të vitit 2023, në të cilën, mes tjerash, Beogradit i kërkohet të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
I pyetur për këtë për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së ka thënë se Serbia qartazi po i shkel detyrimet e saj nga Marrëveshja e Ohrit, e arritur mes saj dhe Kosovës më 2023.
“Sjellja e Serbisë në Këshillin e Evropës është një shkelje e qartë e obligimeve të Serbisë nga Marrëveshja e Ohrit.”, thotë zëdhënësi i BE-së, duke nënvizuar se ky obligim përmendet në nenin 4 të Marrëveshjes, ku flitet për moskundërshtimin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.
Kosova hasi edhe në një pengesë tjetër gjatë kësaj jave në Këshillin e Evropës, pasi kërkesa e saj për të qenë mysafire speciale në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, u hoq nga rendi i ditës të mërkurën.
Serbia, përmes delegacionit të vet në këtë Komitet, por edhe përmes kryetares së Kuvendit, Ana Bërnabiq, u krenua për këtë arritje, duke e quajtur si fitore të madhe të Serbisë në mbrojtjen e interesave kombëtare.
