Shqipëri, 30 mijë arsimtarë festojnë 7 Marsin, Rama: Ambicie, paga e mësuesve përtej 1.000 euro

07.03.2025 17:17

Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festuan ditën e tyre...

Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festuan ditën e tyre, 7 Marsin. Atmosfera në të gjitha shkollat ishte më e ngrohtë se zakonisht. Me lule në duar, kartolina dhe dhurata simbolike, nxënësit shprehën mirënjohjen e tyre për ata që u ndriçojnë rrugën e dijes, mësuesit.

Nxënësit nuk e fshehin entuziazmin në këtë ditë që më së shumti nuk u zhvillua mësim. Ndërsa të emocionuar janë edhe mësuesit.

Në 7 Marsin që simbolizonin shkollën e parë shqipe, kryeministri Rama foli për vlerësimin financiar të arsimtarëve kur tha se objektivi i Qeverisë që paga mesatare t’i kalojë 1.000 euro.

“Paga mesatare 950 euro është fakt domethënës i fuqizimit ekonomik të vendit, por edhe për të fuqizuar mësuesit dhe buxhetet e tyre familjare. Do të rikthehemi te pagat e mësuesve, mjekëve, infermierëve, të gjithë atyre që u shërbejnë këtij vendi. Ambicia jonë është për ta çuar pagën mesatare të mësuesve përtej 1.000 eurove.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.

Mësuesit i uroi edhe presidenti i Republikës, Bajram Begaj, e krerë të tjerë të shtetit dhe politikës, me përfaqësuesit e opozitës që kërkuan trajtim më dinjitoz të misionarëve të dijes.

LULJETA NDOKA