Maqedoni
“Mos i hidh rrobat, mi dhuro mua”, aksion për ata që kanë më shumë nevojë
08.05.2015 15:10
Në Tetovë filloi sot aksioni për grumbullimin e rrobave të përdorura të qytetarëve...

Me moton “Mos i hidh rrobat, mi dhuro mua”, disa organizata të të rinjve sot kanë mbledhur rrobat e dhuruara nga qytetarët për tua dhuruar më pas personave dhe fëmijëve me aftësi të kufizuara në Entin për Rehabilitimin e kësaj kategorie qytetarësh në Shkup.
“Qëllimi i organizimit të sotëm është që fëmijëve dhe personave të rritur, të cilët janë të vendosur në Institutin për Edukim dhe Rehabilitim të Fëmijëve me Pengesa Intelektuale, Pengesa në Zhvillim t’u mundësohen rroba, pasi ata janë fëmijë të braktisur nga familja, njëkohësisht kanë edhe mungesa financiare”- deklaroi organizatorja, Blerta Qamili.
Organizatorët thonë se kjo kategori qytetarësh nuk ndihmohet nga shteti dhe çdo aksion i tillë, qoftë edhe dhurimi i rrobave që qytetarët nuk i veshin më, është i mirëseardhur për ta.
“Shteti nuk i financon, kanë mungesë të madhe elementare për rroba njëherë, pastaj vinë me radhë mungesat tjera, kjo është një gjë shumë elementare, sidomos ndërrimi i stinëve atyre u bën shumë pengesë”- tha organizatorja, Blerta Qamili.
Aksioni po zhvillohet njëkohësisht edhe në Kumanovë dhe do të zgjasë deri të dielën. Organizatorët kërkojnë edhe më tej ndihmën e njerëzve humanë për t’i transportuar më pas rrobat e grumbulluara deri në Qendrën për Rehabilitim në Shkup.
VISAR SADIKI
