Botë
Gjykata Kushtetuese në Bosnje, shfuqizon vendimet e republikës Serbe
08.03.2025 16:39
Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës ka vendosur masë të përkohshme...

Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës ka vendosur masë të përkohshme dhe ndaloi zbatimin e ligjeve të miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska, që ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.
Për t’u shfuqizuar institucionet e lartëpërmendura, sipas Kushtetutës, duhet votim në Kuvendin e Bosnjës dhe Hercegovinës. Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska. Duke iu përgjigjur reagimit të Ambasadës amerikane në Sarajevë - e cila shprehu shqetësim për dekretimin e ligjeve jokushtetuese - Dodik pretendoi se administrata Trump nuk mban qëndrime të njëjta me administratën e kaluar Biden.
Rubio, veprimet e dodik kërcënim për sigurinë
Por Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.
"Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese", shkroi Rubio në rrjetin social X.
Vuçiq, Putin mbështet Dodikun
Por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas një bisede telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, tha se Moska e mbështet legjitimitetin e Qeverisë së zgjedhur në Serbi dhe se gjithmonë e ka mbështetur entitetin Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë. “Presidenti Putin i sheh përpjekjet dhe lëvizjet e përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë e Hercegovinë se kanë një qëllim, e që është rrëzimi i Millorad Dodikut. Federata Ruse gjithmonë ka mbështetur Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe Republikën Sërpska”, ka thënë Vuçiq.
Eufor, do ta rrisë numrin e ushtarëve në Bosnje
Më 26 shkurt, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Dodikun me një vit burgim dhe shqiptoi ndalesë për gjashtë vjet të ushtrimit të postit të presidentit të Republikës Sërpska, për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt.
“Ndërkohë Bashkimi Evropian ka thënë se do të dërgojë trupa shtesë në misionin e vet paqeruajtës në Bosnje e Hercegovinë, për shkak të rritjes së tensioneve mes qeverisë qendrore dhe liderëve të entitetit serb. “Kjo është masë proaktive që synon ta ndihmojë Bosnje e Hercegovinën në interes të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën e EUFOR-it.
FLORA BELULI KAMBERI
