Botë

20 të vdekur nga sulment ruse në Ukrainë, Zelensky: Vazhdojmë të punojmë për paqe

08.03.2025 16:58

Forcat ruse vazhdojnë sulmet ajrore në Ukrainë...

Forcat ruse vazhdojnë sulmet ajrore në Ukrainë prej ku njoftohet për rreth 20 të vdekur. Të paktën 11 persona u vranë dhe 30 u plagosën, përfshirë pesë fëmijë, në sulmet ruse me raketa dhe drone natën e kaluar në qytetin lindor të Ukrainës, Dobropillia, ka njoftuar të shtunën Ministria e Brendshme e Ukrainës.
 
Poashtu kjo Ministri njoftoi se tre civilë u vranë dhe 7 të tjerë u plagosën në një sulm tjetër me dronë në rajonin e Kharkivit në verilindje. Për viktima dhe të lënduar është njoftuar edhe në Donjeck, ndërsa sulme me dron janë kryer edhe në Odesa. Përveç viktimave dhe të lënduarve njoftohet se mijëra njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
 
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë të shtunën se bombardimet vdekjeprurëse të Rusisë në ditët e fundit, tregojnë se synimet e luftës së Moskës “nuk kanë ndryshuar”, prandaj bëri thirrje për sanksione të reja. Zelensky megjithate është shprehur se Ukraina dëshiron paqen sa më shpejt të jetë e mundur.
 
“Vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë, të cilët duan paqe po aq sa ne. Javën e ardhshme do të ketë shumë punë në Evropë, me Amerikën, në Arabinë Saudite. Përgatisim një takim për të përshpejtuar paqen dhe për të forcuar kuadrin e sigurisë. Agjenda është e qartë – paqe sa më shpejt që të jetë e mundur, siguri, sa më e madhe. Ukraina është e përkushtuar ndaj qasjes më konstruktive", u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky. 
 
Trump, marrveshja me Ukrainën e vështirë
 
Por presidenti amerikan Trump beson se më të vështirë e ka marrveshjen me Ukrainën.     
                                                                                         
“Siç e dini, ne do të flasim në Arabinë Saudite në fillim të javës. Mendoj se për sa i përket arritjes së një pajtueshmërie përfundimtare, mund të jetë më e lehtë të përballemi me Rusinë, gjë që është befasuese sepse ata i kanë të gjitha kartat dhe po i bombardojnë për momentin. Ukraina duhet patjetër ta kryejë punën”, theksoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump.     
        
Putin, fitorja do të jetë në anën ruse
 
Presidenti rus Putin në një prononcim për 8 Marsin thotë se fitorja është në anën ruse. 
     
“U drejtohem me fjalët më të mira grave që tani janë në një situatë veçanërisht të vështirë. Bëhet fjalë për pjesëmarrëset në operacionin special ushtarak.  Do të doja t'u drejtohem veçanërisht grave, të dashurit e të cilave - bashkëshortët, baballarët, vëllezërit dhe të dashurit tani po mbrojnë të ardhmen e vendit tonë. Fotorja është në anën tonë”, u shpreh presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.       
 
Tusk, Evropa të jetë pjesë e procesit të paqes 
 
Situata në Ukrainë është gjithashtu një prioritet për BE-në në prag të negociatave të pritshme të paqes, si dhe çështjet që lidhen me forcimin e mbrojtjes së Evropës, që do të rezultonte me rritjen e rolit të Komisionin Evropian.
 
“E gjithë Europa është e gatshme të punojë së bashku, gjithashtu për të shpjeguar dhe bindur partnerët tanë kryesorë, përfshirë Shtetet e Bashkuara, se sa e rëndësishme është për stabilitetin e paqes në të ardhmen që të përfshihet Evropa në procesin e paqes në Ukrainë”, theksoi kryeministri i Polonisë, Donald Tusk.                                                                                                       
 
Një delegacion nga Ukraina do të udhëtojë në Arabi Saudite javën e ardhshme për t’i takuar zyrtarët amerikanë me qëllimin për ta gjetur një kornizë për një marrëveshje paqeje. Këshilltari për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kanë paralajmëruar se do të takohen me delegacionin ukrainas në Arabi Saudite javën e ardhëshme.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI