Maqedoni

Ministria e Ekologjisë, marrëveshje për 19 hidrocentrale të vogla

08.05.2015 16:26

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nënshkroi kontrata me 12 koncesionerë për ndërtimin e 19 hidrocentraleve të vogla...

Kjo ministri, si kompetente për zbatimin e procedurave të ndarjes së koncesioneve për shfrytëzim të ujit për prodhimin e energjisë elektrike, realizoi tenderin e 6-të për këto hidrocentrale.
 
Koncesioni është për 23 vjet, respektivisht tre vjet për periudhën e ndërtimit dhe 20 për përdorimin e hidrocentraleve të vogla.
 
“Qeveria e Republikës së Maqedonisë mori vendim për zgjedhjen e ofertave më të volitshme për ndarjen e koncesioneve për shfrytëzim të ujit dhe ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në tridhjetë e tre lokacione. Në pajtim me vendimin e kësaj ministrie janë kontraktuar gjithsej 12 marrëveshje me ofertuesit, me të cilët do të bëjmë nënshkrimin e marrëveshjes. Për 98 hidrocentrale të vogla  vlera e kompensimit është 150 milion denarë”- deklaroi ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.
 
Përfaqësuesi i “Hidrogen Energji Grup” njoftoi se kompania do të investojë 5 milion euro në katër hidrocentrale të vogla dhe shtoi se në këtë periudhë të vitit të ardhshëm do të fillojnë me prodhimin e energjisë së gjelbër. 
 
“Ne shpresojmë, të paktën deri më tani në këto 280 ditë, pasi ne u zgjodhëm. Pa ndonjë problem kemi mundur t'i grumbullojmë të gjitha dokumentet, ndërsa shpresojmë se ashtu edhe do të vazhdojmë dhe për disa muaj do të fillojmë me ndërtimin”- tha përfaqësuesi i “Hidrogen Energji Grup”, Predrag Çeberikiq.
 
Me ndërtimin e këtyre hidrocentraleve të vogla do të sigurohet një shtesë prej 20 MW të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU