Botë
Siri, mbi njëmijë të vrarë në dy ditët e kaluara
09.03.2025 15:43
Ditëve të fundit Siria është përfshirë në dhunën më të madhe që nga rënia e qeverisë...

Ditëve të fundit Siria është përfshirë në dhunën më të madhe që nga rënia e qeverisë së Bashar al-Assadit në dhjetor të vitit 2024. Luftimet mes besnikëve të Assadit dhe forcave të sigurisë të Qeverisë së Sirisë, e cila udhëhiqet nga presidenti i përkohshëm Ahmed al-Sharra, shpërthyen më 6 mars në provincën bregdetare Latakia e banuar kryesisht nga pakica alavite.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut ka njoftuar për më shumë se njëmijë njerëz të vrarë gjatë dy ditëve të fundit, duke përfshirë 125 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 148 luftëtarë besnikë të regjimit të rrëzuar të Assadit. Observatori poashtu tha se ka identifikuar 745 civilë që i përkasin pakicës alavite të vrarë në luftime, përfshirë "ekzekutime në terren" nga "forcat e sigurisë së Sirisë dhe grupet aleate". Ministria siriane e Mbrojtjes dhe Administrata e Përgjithshme e Sigurisë ka bërë të ditur se ka rifituar kontrollin mbi shumicën e zonave që ishin destabilizuar ditët e fundit.
“Forcat tona vazhdojnë të përballen me zonat e mbetura të kriminelëve, ndërsa të gjithë të involvuarit ua dorëzojmë organeve kopetente të sigurisë, që të përgjigjen në përputhje me ligjin. Theksojmë se secili që refuzon ti dorëzojë armët shtetit do të përballet me përgjigje të vendosur dhe të pa kompromis”, u shpreh Hasan Abdul Gani nga misnitria e Mbrojtjes e Sirisë.
Në Homs, Latakia dhe Tartus është vendosur orë policore, për shkak të luftimeve të vazhdueshme. Luftimet filluan rreth një javë pasi ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, vendi i të cilit është mbështetës i madh i qeverisjes së Sharaas, e paralajmëroi Iranin kundër përpjekjeve për ta sfiduar qeverinë e re siriane duke i fuqizuar grupet që i kundërvihen asaj.
VLORA LATIFI TOPOJANI
