Botë
Gaza, Izraeli dhe Hamasi të gatshëm për negociata
09.03.2025 16:05
Megjithse Izraeli dhe Hamasi kanë shprehur gatishmëri për fazën tjetër...

Megjithse Izraeli dhe Hamasi kanë shprehur gatishmëri për fazën tjetër të negociatave për armëpushim, autoritetet izraelite mohojnë pretendimet e grupit e Hamasit se ka përparim. Me qëllim të arritjes së përparimit në negociata idërguari i posaçëm amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Vitkof, do të udhëtojë në Katar. Paraprakisht, Uashingtoni kërkoi lirimin e 10 pengjeve në këmbim të zgjatjes së armëpushimit.
Palestinezët shpresojnë për një marrëveshje të shpejtë. Ata i frikësohen mungesës së ushqimit dhe ujit të pijshëm pasi Izraeli ndaloi hyrjen e dërgesave të ndihmave humanitare në mënyrë që të ushtrojë presion ndaj Hamasit që të pajtohet me kushtet e një armëpushimi.
“Gaza është shkatërruar plotësisht, kanë mbetur vetëm gurë dhe rrënoja. Ne kemi nevojë urgjente për ushqim dhe ujë”, u shpreh banori i Gazës.
“Produktet bazë për fëmijët, si qumështi, po mbarojnë. Jemi duke u përballur me dy kriza. Përveç rrethimit, luftës dhe shkatërrimit, ka edhe mungesë të ushqimit dhe ujit të pijshëm”, theksoi banori i Gazës.
Nga ana tjetër në Tel Aviv, protestuesit i bënë thirrje Presidentit Trump për lirimin e menjëhershëm të pengjeve të mbajtura në Gaza.
“Ripërtëritja e luftës është në kundërshtim me interesat izraelite”. Por rinovimi i luftës i shërben interesave të Netanyahut, sepse për sa kohë ka luftë ai mund të vonojë gjyqin kundër tij. Për sa kohë që ka luftë, një komitet shtetëror hetimor nuk do të formohet dhe Netanyahu ka një qeveri të qëndrueshme", u shpreh protestuesja izraelite.
“Interesat e Netanyahut nuk janë interesa të shtetit të Izraelit apo të popullit të tij. Shumica dërmuese e opinionit izraelit dëshiron që të gjithë pengjet e mbetura të kthehen menjëherë në shtëpi. Shumica kundërshton me forcë vazhdimin e luftës”, theksoi protestuesi izraelit.
Ndërkohë, Franca, Gjermania, Italia dhe Britania kanë mbështetur një plan të vendeve arabe për rindërtimin e Gazës, i cili do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve.
FLORA BELULI KAMBERI
