Maqedoni
ShGM dënon dhunën ndaj gazetarëve, AMM proteston para LSDM-së
08.05.2015 17:13
Asociacioni Maqedonas i Mediave ka protestuar sot para selisë së LSDM-së kundër dhunës së ushtruar nga protestuesit mbi gazetarët...

Anëtarët e këtij asociacioni, në formë simbolike kanë lënë shufra, gurë dhe shkopinj para hyrjes së selisë blu.
“Duam t’i porosisim që protestat do të vazhdojnë pas çdo dhune që do të ndodhë mbi gazetarët, nëse do të ndodhë në të ardhmen. Shpresojmë se do të marrin forcë dhe protestat në të ardhmen të jenë të qeta”- deklaroi gazetarja e TV Sitel, Ivona Talevska.
LSDM-ja nuk është organizatore e këtyre protestave, ndërsa gazetarët e VMRO-së kanë ardhur të realizojnë një obligim partiak, kundërpërgjigjet zëdhënësi i LSDM-së, Petar Shilegov.
“Është e qartë se ushtarët partiak, të punësuarit, në mënyrë që tërë opinioni mund të dëshmojë se si punësohen të dëgjueshmit partiak, erdhën këtu për ta realizuar detyrën partiake. Lidhja Socialdemokrate, aktivistët e saj nuk janë kryerës të asnjërës prej dy ngjarjeve, që sot ishin si shkas i protestës para selisë sonë”- tha zëdhënësi i LSDM-së, Petar Shilegov.
Ndërkaq, Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë dënon ashpër dhunën mbi gazetarët nga policia dhe demonstruesit në Shkup.
“Dhuna ndaj gazetarëve është e papranueshme dhe paraqet sulm të drejtpërdrejtë mbi lirinë e mediave dhe të drejtës së opinionit që të informohet për ngjarjet e interesit publik. Është dështuese për demokracinë në Maqedoni kur policia rreh gazetarë në protesta, në vend që t’u sigurojë kushte që pa pengesa ta kryejnë punën. Manifestimi i pakënaqësisë qytetare në protesta mbi gazetarët është akt qyqar dhe primitivizëm”- thuhet në reagimin e ShGM-së.
SHGM-ja kërkon nga Ministria e Punëve të Brendshme, prokuroria dhe gjykatat që t’i zbulojnë dhe ndëshkojnë dhunuesit të cilët sulmuan gazetarë në protestat e së martës.
SHPËTIM NUREDINI
