Botë
Rute të martën do ta vizitojë Kosovën
10.03.2025 11:11
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, do të vizitojë Kosovën më 11 mars....

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, zëvendësja e tij, Radmila Shekerinska, së bashku me ambasadorët e Këshillit të Atlantikut të Veriut do të vizitojnë Kosovën më 11 mars.
Gjatë kësaj vizite, Rute do të takohet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten, Vjosa Osmani. Shefi i NATO-s do të takohet edhe me udhëheqësit e misionit paqeruajtës të aleancës ushtarake perëndimore në Kosovë, KFOR, si dhe me ata të Misionit për Sundim të Ligjit të Bashkimit Evropian (EULEX) dhe përfaqësues të Misionit të Kombeve të Bashkuara (UNMIK).
Kjo do të jetë vizita e parë e Rutes në Kosovë, që kur ai mori drejtimin e NATO-s tetorin e vitit të kaluar. Po ashtu kjo vizitë do të realizohet, disa ditë pasi ai deklaroi se stabiliteti në Kosovë, Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi është në interesin e të gjithëve në aleancën ushtarake perëndimore dhe se ai nuk sheh arsye të besojë se mund të ketë ndonjë ndryshim dramatik, sa i përket përkushtimit amerikan në NATO.
