Rajon
Kosovë, KQZ: Rinumërim në 50 vendvotime
10.03.2025 14:19
KQZ mori vendim që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve...

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mori vendim që në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve të rinumërohen votat për subjektet politike të 50 vendvotimeve, 15 prej të cilave i takojnë komunave të ndryshme, ndërkaq 35 të tjera vetëm të komunës së Vushtrrisë. Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, tha se në 15 vendvotimet që shkojnë në rinumërim është hasur mospërputhje e numrit të nënshkrimeve në Listën e Votuesve dhe numrin e fletëvotimeve brenda në kuti të votimit.
“Janë identifikuar 15 vendvotime në të cilat ka pasur mospërputhje të nënshkrimeve. Këto 15 vendvotime si rekomandim i këshillit të operacioneve zgjedhore është rekomanduar që të procedohet për një rinumërim të plotë për të gjitha subjektet politike. Një rekomandim i dytë është me raportin që kemi pranuar për rezultatet e kandidatëve të LDK-së të dalë nga vendvotimet e Vushtrrisë. Ky raport i ndryshimeve mes rezultateve, të tabeluara në qendrat komunale të numërimit dhe rezultateve të dala nga hetimi në qendrat e numërimit dhe rezultateve ka ardhur si rekomandim që 35 vendvotime për të cilat vërehet diferenca e kandidateve të hidhen në rinumërim, 35 vendvotime të rinumërohen plotësisht për të gjitha subjektet politike dhe kandidatët.”, - deklaroi Arianit Elshani nga KQZ.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka paralajmëruar se do të ankohet lidhur me çështjen e rivotimit me postë nga vota e jashtme.
GYLTENE SINANI
