Botë
Zgjedhjet e majit në Shqipëri, Rama sfidon deputetët me përvojë
10.03.2025 14:33
Të paktën 32 deputetë socialistë do të jenë figura të reja në legjislaturën e ardhshme....

Të paktën 32 deputetë socialistë do të jenë figura të reja në legjislaturën e ardhshme. Kryeministri Rama synon të reformojë thuajse plotësisht ekipin e tij, duke i dhënë një fytyrë të re dhe këtë ua tha në sy deputetëve aktualë, të cilët janë nën “ethet” e hartimit të listave.
“Parimi themelor i listës së re do të jetë asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë dhe një mandat nga Partia Socialiste nuk do të jetë në listën e mbyllur. Luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe Partia Socialiste.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
I njëjti parim, se do të ndiqet edhe për gratë deputete, duke i lënë edhe ato në garë, ndërsa vetë mund të mos kandidojë për deputet, por të bëjë punën e kryeministrit, tha Rama. Të paprekur la vetëm bërthamën e ekipit të tij, 14 drejtuesit politikë të qarqeve, të cilët do të jenë në lista të sigurta, pavarësisht nëse kanë një, dy apo më shumë mandate.
“Unë e kam shprehur dhe kam thënë që drejtuesit politikë duhet të jenë në listën e hapur. Problemi që më duket se ka argumenti im, është që kjo do të çorodiste gjithë procesin, sepse nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë.”, - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Ndërkohë, Sali Berisha prezantoi programin për ndërtimin e Shqipërisë Madhështore dhe u shpreh se Rama po lufton për mbijetesën politike pas humbjes së 11 majit.
LULJETA NDOKA
