Maqedoni

Kuvend, Ilaz refuzon të drejtojë Komisionin e sociales

10.03.2025 14:48

Ngecin punimet në Komisionin Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini...

Ngecin punimet në Komisionin Parlamentar për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini. Seanca e caktuar për sot u anulua, pasi deputeti i Frontit Evropian, Bejxhan Ilas, nuk erdhi për të drejtuar komisionin edhe pasi kryeparlamentari Gashi e kishte caktuar si kryesues. Megjithëse arsyet e mungesës ishin subjektive, deputeti Bejxhan Iljas është shprehur se Gashi pa e konsultuar atë e ka emëruar kryesues, andaj nuk do të dakordohej që të kryesonte komisionin.
 
“Nuk do të kryesojë me komisionin, për shkak të një familjari të sëmurë. Porosinë për seancën e mora nga Gashi të premten pasdite. Edhe po mos të kishin qenë shkaqet subjektive, unë nuk shoh arsye përse të kryesoj me komisionin duke u nisur nga fakti se si u votua interpelanca ndaj koleges Dauti”, është shprehur Ilas.
 
Gashi nuk heq dorë nga deputeti, Ilas
 
Nga zyra e kryeparlamentarit edhe përkundër mungesës, të cilën e paraqitën shkurtimisht pa dhënë shumë detaje, thonë se deputeti Ilas vazhdon të mbetet kryesues i komisionit.
 
“Morëm letër nga koordinatori i Frontit Evropian se deputeti Bejxhan Ilas do të mungojë në të gjitha aktivitetet e Kuvendit. Andaj shtyhet takimi i komisionit. Deri në këto momente nuk ka ndryshim të vendimit, sa i takon kryesuesit të komisionit.”, njoftojnë nga kabineti i kryeparlamentarit, Afrim Gashi.
 
ASh-ja kërkon rikthimin e Dautit
 
Nga Fronti Evropian kërkojnë distancimin e kryeparlamentarit nga skenarët e partive maqedonase që nëpërmjet deputetit Ilas të jetësojë ligjin e të ashtuquajturve “branitella”. Deputeti i Frontit Evropian, Elmi Aziri, në një postim të tijin në rrjet ka propozuar kthimin e Dautit në krye të komisionit.
 
“Ne nuk do të dërgojmë propozim tjetër dhe nuk do të pranojmë asnjë lojë tjetër të errët që ka gatuar Gashi me padronët e tij për të kontrabanduar Ligjin për “branitellat”. I bëjmë thirrje që të mos provojë këtë ta bëjë as me ndonjë deputet tjetër duke e emëruar si kryesues.”, shkruan Aziri në profilin e tij në fejsbuk.
 
Nga VMRO – DPMNE thonë se duhet të respektohet rregullorja.
 
“Kuvendi punon sipas rregullores. Gjithçka që është në kuadër të rregullores do të duhet të zbatohet.”, - u shpreh deputeti i VMRO – DPMNE-së, Dragan Kovaçki.
 
Puna e Komisionit Parlamentar për Politikë Sociale është bllokuar për disa muaj, pasi ish-kryetarja e komisionit, Ilire Dauti, refuzoi të vë në rend dite propozim-ndryshimet e Ligjit për të ashtuquajturit “branitella”, me arsyetimin se në këtë ligj duhen të përfshihen edhe pjesëtarët e UÇK-së. Dauti u tërhoq nga detyra, pasi në janar shumica votoi mosbesim për mënyrën se si kishte drejtuar komisionin.
 
MERAL ISMAILI